Maqedoni

Kallëzim penal ndaj dy personave për mashtrim përmes një platforme të rreme investimi në internet

30.10.2026 11:10

Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka dorëzuar kallëzim penal për veprën penale “mashtrim” ndaj dy personave...

Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka dorëzuar kallëzim penal për veprën penale “mashtrim” ndaj dy personave, të cilët dyshohet se kanë nxitur qindra qytetarë të investojnë në një platformë të rreme në internet. Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Manastir.
 
Të denoncuarit janë M.K. (56) nga Manastiri dhe A.S. (38) nga Estonia, nën dyshimin se gjatë periudhës nga dhjetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026, përmes një aplikacioni celular dhe një kanali me disa qindra abonentë, kanë premtuar fitime të pretenduara nga investimet, të cilat nuk janë realizuar asnjëherë.
 
Në këtë mënyrë, siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ata kanë nxitur një numër të madh qytetarësh nga i gjithë vendi të paguajnë mjete financiare në një platformë të rreme në internet, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
 
Deri më tani, në Sektorin për Krim Kompjuterik janë dorëzuar pesë denoncime nga qytetarë të dëmtuar. Megjithatë, analiza e raporteve financiare nga llogaria bankare e të dyshuarës së parë ka treguar se nga mashtrimi janë dëmtuar qindra qytetarë, shumica e të cilëve nuk e kanë denoncuar rastin.
 
Pas një hetimi disamujor, në të cilin janë përfshirë institucione vendore dhe të huaja, janë zbuluar identitetet e të dyshuarve. Policia ka zhvilluar një bisedë informative me të dyshuarën e parë dhe ka sekuestruar pajisje elektronike përmes të cilave është realizuar komunikimi me të dëmtuarit. Sipas MPB-së, analiza forenzike e të dhënave nga pajisjet ka siguruar prova për veprën penale.
 
Gjatë hetimit janë analizuar edhe transaksione me kriptovaluta, ndërsa përmes platformave ndërkombëtare të sigurisë janë siguruar informacione për pronarin e portofolit të kriptovalutave.
 
Nga Sektori për Krim Kompjuterik u bëjnë thirrje qytetarëve të mos u besojnë ofertave për fitime të lehta dhe të shpejta përmes internetit, veçanërisht kur bëhet fjalë për investime në kriptovaluta me premtime për kthime të larta dhe të sigurta.
 
Ata paralajmërojnë se mashtruesit përdorin rrjetet sociale, profile të rreme dhe telefonata për t'i nxitur qytetarët të paguajnë para në platforma që mund të duken plotësisht legjitime.