Maqedoni

Alta Bankës i merret leja e punës në Serbi

31.10.2026 16:02

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur të revokojë licencën...

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur të revokojë licencën e Shoqatës Aksionare “Alta Banka” - Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit.
 
Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.
 
“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, - thuhet në njoftimin e BKS-së.
 
Alta Banka SHA Manastir është person juridik i pavarur
 
Në kontekstin e zhvillimeve të fundit lidhur me ALTA Bankën në Republikën e Serbisë, ALTA banka SHA Manastir informon opinionin publik se Banka është person juridik i pavarur, i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili operon në përputhje me legjislacionin vendas dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 
 
“ALTA banka SHA Manastir është likuide dhe vazhdon të punojë rregullisht dhe pa pengesa. Të gjitha ekspoziturat dhe bankomatet funksionojnë sipas orarit dhe regjimit të zakonshëm, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre. Klientët mund t’i disponojnë lirisht depozitat e tyre, të tërheqin para të gatshme dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare, në përputhje me kushtet e zakonshme të punës.” – thuhet në njoftim duke shtuar se ngjarjet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim të gjendjes financiare apo statusit juridik të ALTA bankës SHA Manastir.
 
BPRM: Vepron sipas kuadrit ligjor e rregullator vendor
 
Edhe Banka Popullore thekson se vendimi i Bankës Popullore të Serbisë për revokimin e licencës së punës së ALTA Bankës AD Beograd, ka të bëjë me veprimtarinë e bankës në Republikën e Serbisë dhe, në vetvete, nuk nënkupton revokimin automatik të licencës së punës së ALTA Bankës SHA Manastir. 
 
“Banka vendase është person juridik i pavarur, e themeluar dhe e regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veprimtaria e së cilës vlerësohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator vendor. Banka Popullore, si autoritet kompetent mbikqyrës, e ndjek gjendjen dhe vepron në përputhje me dispozitat ligjore. Banka Popullore i ndjek të gjitha rrethanat që mund të ndikojnë në veprimtarinë e bankës vendase, përfshirë edhe rreziqet që burojnë nga lidhjet e saj pronësore.” – thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU