Maqedoni

Jotova, presidente e re e Bullgarisë, Radev: Qytetarët zgjodhën paqe dhe stabilitet

02.11.2026 15:10

Ilijana Jotova hyri në historinë e Bullgarisë si gruaja e parë që merr postin e presidentes së vendit...

Ilijana Jotova hyri në historinë e Bullgarisë si gruaja e parë që merr postin e presidentes së vendit. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, ajo shënoi fitore bindëse me 57,57 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj, Andrej Gjurov, mori 39,48 për qind.
 
“Dëshiroj t’i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që mbështetën kandidaturën tonë. Por, dua të shpreh mirënjohjen time edhe për ata që nuk na mbështetën, por megjithatë dolën për të votuar. Zëri dhe mendimi i tyre kanë shumë rëndësi për ne, pasi do t’i marrim parasysh mesazhet që na përcollën. Do të bëjmë një analizë të thelluar dhe do t’u kushtojmë vëmendje shqetësimeve dhe shpresave të tyre.”, - deklaroi zëvendëspresidentja e sapozgjedhur e Bullgarisë, Ilijana Jotova. 
 
Fitorja e Jotovës konsiderohet edhe si mbështetje për kursin politik të kryeministrit Radev, partia e të cilit ishte rreshtuar në mbështetje të kandidaturës së saj. 
 
“Jam i bindur se do të jeni një presidente e denjë e Bullgarisë në këto kohë të vështira, kur ju është besuar kjo detyrë me përgjegjësi të madhe. Sot, qytetarët bullgarë zgjodhën të ardhmen dhe jo të kaluarën. Ata votuan për paqe, stabilitet, normalitet, si dhe për një rrugë të qartë dhe të qëndrueshme drejt së ardhmes.”, - theksoi kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev. 
 
Gjurov: Ata që besuan ndryshimin, u zhgënjyen
 
Kundërkandidati Andrej Gjurov e pranoi humbjen, por theksoi se përgjegjësia politike vazhdon edhe pas zgjedhjeve. Në daljen e tij publike pas humbjes theksoi se ai do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga pushteti.
 
“E kuptoj se për të gjithë ata që ishin pjesë e fushatës dhe besuan se Bullgaria ka një rrugë të re përpara, ky rezultat sjell zhgënjim. Megjithatë, besoj se asgjë nga ajo që u bë nuk ishte e kotë. Ditët më të mira janë ende përpara. Tani që fushata ka përfunduar, duhet të kërkojmë bashkim dhe jo përçarje. Qeveria duhet t’i shërbejë popullit bullgar dhe jo interesave të veta.”, - u shpreh kandidati për president, Andrej Gjurov. 
 
Fitorja e Jotovës pritet të ndikojë në balancat e brendshme politike në Bullgari, ndërsa sfidat kryesore mbeten orientimi i saj në politikën e jashtme, raportet me BE-në dhe Rusinë, si dhe qëndrimi ndaj luftës në Ukrainë. 
 
SARA KAJOLLI