Maqedoni
Revizioni: Vetëm nëntë nga 62 lokomotivat e Hekurudhave janë funksionale, humbjet mbi 109 milionë euro
03.11.2026 10:01
Vetëm nëntë nga gjithsej 62 lokomotivat e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut – Transport janë funksionale...

Vetëm nëntë nga gjithsej 62 lokomotivat e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut – Transport janë funksionale, ndërsa nga 47 vagonë për pasagjerë, vetëm dy përdoren në komunikacionin e rregullt. Këtë e tregon raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024, sipas të cilit humbjet e akumuluara të ndërmarrjes kanë arritur në mbi 109 milionë euro.
Sipas revizorëve, nga 16 kompozicione trenash për pasagjerë, vetëm pesë janë në funksion. Gjendje e rënduar është konstatuar edhe në transportin e mallrave, ku nga 1.382 vagonë, vetëm 378 kanë kontroll teknik të vlefshëm, ndërsa 1.004 të tjerë janë jashtë funksionit për shkak të skadimit të afatit të kontrollit teknik.
Raporti thekson se parku hekurudhor është i vjetruar, me mjete që në disa raste janë më të vjetra se 40 vjet. Si shkaqe kryesore përmenden mungesa e mjeteve financiare, investimet e pamjaftueshme në riparime, pjesë rezervë dhe rinovimin e kapaciteteve hekurudhore.
Revizioni ka konstatuar edhe parregullsi në menaxhimin e rezervave, ku 71 për qind e tyre, me vlerë rreth 5,5 milionë euro, datojnë para vitit 2019, pa harmonizimin përkatës të vlerës. Janë evidentuar gjithashtu dobësi në menaxhimin e karburanteve, përdorimin e pajisjeve matëse të vjetruara, kontrollin e konsumit të ujit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.
Sa i përket gjendjes financiare, ndërmarrja gjatë vitit 2024 ka regjistruar humbje prej 331,8 milionë denarësh, përkatësisht rreth 5,4 milionë euro. Edhe pse kjo paraqet ulje krahasuar me vitin paraprak, humbjet e përgjithshme të akumuluara kanë arritur në 6,75 miliardë denarë, ose rreth 109,1 milionë euro.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për tejkalimin e parregullsive të konstatuara dhe përmirësimin e menaxhimit financiar dhe teknik të ndërmarrjes.
