Maqedoni

Aksion policor në Shtip dhe Shkup, dyshohen keqpërdorime në Universitetin e Shtipit

03.11.2026 14:14

Policia ka zhvilluar bastisje në më shumë lokacione në Shtip dhe Shkup në kuadër të hetimit ndaj drejtuesit të sektorit informativ në universitetin Goce Dellçev në Shtip....

Policia ka zhvilluar bastisje në më shumë lokacione në Shtip dhe Shkup në kuadër të hetimit ndaj drejtuesit të sektorit informativ në universitetin Goce Dellçev në Shtip. Ai është i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim kompjuterik. Policia është duke hetuar ndërhyrje të dyshimta në evidentimin elektronik të studentëve, ndryshimin e pikëve në provime, fshirjen e notave dhe mundësimin e regjistrimit të semestrit pa përmbushur kushtet. I punësuari një periudhë më të gjatë ka ndryshuar të dhënat e studentëve, kryesisht nga Turqia me ç’rast është paguar për shërbimet. Sipas disa informacioneve, në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një sasi më e madhe e parave. Por, kjo nuk konfirmohet nga Ministria e Brendshme. Nuk thuhet as nëse ka arrestime dhe sa lokacione janë kontrolluar.
 
“Po kryhen bastisje në më shumë lokacione në Shtip dhe Shkup, që kanë të bëjnë me vepra penale: keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar, si dhe dëmtim dhe hyrje pa autorizim në sistemin kompjuterik nga R.T. , drejtues i sektorit informativ në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. 
 
Janë prononcuar nga Universiteti i Shtipit. Menaxhmenti paralajmëron bashkëpunim të plotë me policinë dhe prokurorinë, duke pohuar se kanë zero tolerancë për keqpërdorime.
 
“Si institucion i arsimit të lartë mbetemi të përkushtuar në transparencë, përgjegjësi dhe integritet institucional. Universiteti nuk do të lejojë që asnjë dyshim të prishë mundin dhe vlerën e diplomës së mijëra studentëve të diplomuar, si dhe të punësuarve. Kemi zero tolerancë për çfarëdo lloji të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.”, thanë nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip.
 
Para një kohe në këtë universitet ishte hasur një profesoreshë, e cila kishte marrë para nga një student turk që të kalojë provimin.
 
MERAL ISMAILI