Maqedoni

Kundërthëniet rreth provimit të jurisprudencës, Mickoski: Pres propozim që do të përmbajë dy pjesë

09.11.2026 13:59

Jurisprudenca në gjuhën shqipe, Mickoski thotë se zgjidhja duhet të mbështetet në parimin e gjuhës së përbashkët...

Pas deklaratave të kryetarit të partisë “E di”, Maksim Dimitrievski, i cili kundërshton mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se zgjidhja duhet të mbështetet në parimin e gjuhës së përbashkët. Sipas tij, në sistemin gjyqësor kjo gjuhë është maqedonishtja dhe çështja lidhet me sundimin e ligjit, e jo me të drejta të tjera apo me politikën. Lidhur me mundësinë që çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe të diskutohet në një seancë qeveritare, Mickoski tha se nuk do të ketë kërkesë apo zgjidhje që provimi të jepet tërësisht në gjuhën shqipe. Sipas tij, propozimi që do t'i paraqitet Qeverisë do të përmbajë dy pjesë.
 
“Pjesa e parë thotë se studentët do të jenë në gjendje ta japin pjesën që lidhet me studimet e tyre universitare në një gjuhë tjetër, përveç maqedonishtes, ndërsa në Maqedoni studime të tilla zhvillohen në tri gjuhë – shqip, turqisht dhe anglisht, në gjuhën në të cilën e kanë përfunduar arsimin e lartë. Pjesa e provimit të jurisprudencës ku simulohet një proces gjyqësor, si pjesë e një procedure penale ose civile, ajo pjesë do të jepet në gjuhën amtare - gjuhën maqedonase.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Me këtë, sipas Mickoskit, rikonfirmohet qëndrimi se sistemi gjyqësor duhet të bazohet në parimin e “lingua franca”, që sipas tij është gjuha maqedonase, pasi kjo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me të drejta të tjera apo me politikën.
 
REXHEP QAMILI