Maqedoni

2.158 amendamente për ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike, pushteti kërkon fshirjen e nenit kontestues

10.11.2026 09:37

Ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike janë sërish para deputetëve, pasi presidentja Siljanovska-Davkova refuzoi të nënshkruajë dekretin për shpalljen e tyre....

Gjithsej 2.158 amendamente janë dorëzuar për ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike, i cili po shqyrtohet sërish në Kuvend, pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vendosi të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.
 
Shumica parlamentare ka dorëzuar një amendament me të cilin propozohet fshirja e nenit 13, i cili ishte arsyeja e vetos presidenciale. Pjesa më e madhe e amendamenteve të tjera janë dorëzuar nga LSDM-ja opozitare.
 
Neni kontestues ka të bëjë me mandatet e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike. Zgjidhja e deritanishme ligjore parashikonte mandat pesëvjeçar, me të drejtë edhe për një rizgjedhje, përkatësisht më së shumti dhjetë vjet. Me ndryshimet e propozuara, ky formulim ishte zëvendësuar me mundësinë e riemërimit, pa kufizim të saktë të numrit të mandateve.
 
Siljanovska-Davkova vlerësoi se formulimi i ri është juridikisht i pasaktë dhe lë hapësirë për një numër të pakufizuar rizgjedhjesh. Sipas saj, një zgjidhje e tillë mund të çojë në përqendrim të pushtetit në vendimmarrjen për shpenzimin e mjeteve publike.
 
Presidentja, më 4 nëntor, i dërgoi një shkresë Kuvendit, në të cilën arsyetoi shkaqet për të cilat vendosi të mos e nënshkruajë dekretin, duke iu referuar nenit 75, paragrafi 3, të Kushtetutës.
 
Sipas nenit 183 të Rregullores së Punës së Kuvendit, kur presidenti i shtetit nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e një ligji, ai shqyrtohet sërish në fazën e leximit të tretë. Në këtë procedurë, amendamentet mund të dorëzohen vetëm në lidhje me vërejtjet e presidentit.
 
Ligji u miratua në Kuvend më 26 tetor, ndërsa sot është sërish para deputetëve, pas vendimit të presidentes për të mos e nënshkruar dekretin.