Botë

Spanjë, një polic humb jetën dhe një tjetër plagoset rëndë nga shpërthimi i një eksplozivi

10.11.2026 13:38

Një efektiv i Policisë Kombëtare në Spanjë ka humbur jetën...

Një efektiv i Policisë Kombëtare në Spanjë ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin e Oviedos, në veri të vendit.
 
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, kur policia ishte thirrur për të ndërhyrë pas një konflikti të dhunshëm mes dy familjeve. Gjatë përplasjes, një grua e re ishte plagosur me armë zjarri, por sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
 
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët zbuluan një çantë shpine me eksploziv në hyrje të një ndërtese banimi. Sipas sindikatës së policisë JUPOL, shpërthimi ndodhi në momentin kur policët po përpiqeshin ta largonin çantën për të shmangur rrezikun ndaj banorëve.
 
Polici që humbi jetën ishte pjesëtar i njësisë së qenve të Policisë Kombëtare, ndërsa efektivi i plagosur i përkiste njësisë për çaktivizimin e eksplozivëve. Ky i fundit ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe si pasojë e shpërthimit ka humbur njërën këmbë.
 
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa po shqyrtohet lidhja e mundshme mes konfliktit familjar dhe vendosjes së pajisjes shpërthyese.