Zgjerimi i projektit “Qyteti i Sigurt”, kamera mobile për zbulimin e shkelësve në trafik

10.11.2026 14:44

MPB-ja planifikon ta zgjerojë sistemin “Qyteti i Sigurt”...

MPB-ja planifikon ta zgjerojë sistemin “Qyteti i Sigurt” me kamera mobile (lëvizëse) për kontrollin e shpejtësisë, si dhe me pajisje të integruara në automjetet policore, të cilat do të mund të regjistrojnë kundërvajtjet në trafik edhe gjatë lëvizjes.

Sipas analizave të deritanishme, kamerat kanë dhënë efektin e dëshiruar në disa lokacione, ndërsa në zonat ku nuk ka kamera vazhdojnë të evidentohen shkelje të rregullave të trafikut, tha ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Qëllimi është që drejtuesit e automjeteve të jenë të vetëdijshëm se mund të identifikohen për çdo shkelje, pavarësisht se ku qarkullojnë.

“Propozimi që kemi marrë nga ekspertët parasheh që automjetet e policisë të pajisen me kamera që matin shpejtësinë edhe gjatë lëvizjes, ndërsa paralelisht planifikojmë blerjen e kamerave mobile, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, ku ndodhin më shpesh aksidente me viktima dhe të lënduar rëndë. Për këtë po punojmë intensivisht.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Për të rritur sigurinë në komunikacion, kamerat e projektit “Qyteti i Sigurt” do të vendosen edhe në Strumicë, Shtip dhe Manastir, si dhe në pikat e zeza të trafikut ku në të kaluarën janë regjistruar më së shumti aksidente me viktima.

Sipas bilancit të fundit të MPB-së nga 2 shkurti deri më 20 gusht 2026, sistemi ka regjistruar gjithsej 310.865 kundërvajtje në trafik, prej të cilave 301.835 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Në të njëjtën periudhë janë evidentuar edhe 180.378 kundërvajtje me automjete me targa të huaja, tha Toshkovski.

“Shumë, shumë persona nuk e dini sa shumë ministra, drejtorë, madje edhe përfaqësues fetarë të komuniteteve të ndryshme, më kanë thënë se sistemi funksionon se edhe ata kanë paguar gjobat pasi u janë shqiptuar. Prej më shumë se një viti e gjysmë nuk ka ndodhur që dikush të kërkojë intervenimin tim për t’i shpëtuar pagesës së një gjobe. Ndërsa më herët gjatë Qeverisë teknike, kishte kërkesa të tilla për intervenime lidhur me kundërvajtje të caktuara.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Toshkovski bëri të ditur se Maqedonia e Veriut ka fituar vendin e parë në kategorinë e ekselencës për sigurinë në komunikacion, në Samitin Botëror të Policisë në Dubai.

Sipas tij, ky vlerësim është rezultat i rritjes së sigurisë në trafik, si dhe i uljes së numrit të viktimave dhe kundërvajtjeve në komunikacion. (Rexhep Qamili, TVM2)