Bullgari, 12 të vdekur në aksidente zinxhirore trafiku

10.11.2026 14:56

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar...

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve masive pranë Zimnicës, në autostradën “Trakia” në Bullgari. Shkak i kësaj tragjedie u bë mjegulla e dendur dhe ulja e menjëhershme e shikueshmërisë, e cila nga 80 metra ra papritur në vetëm 10 deri në 15 metra, duke e kthyer rrugën në një kurth të vërtetë.

Kryeministri bullgar Rumen Radev, i cili mbërriti në vendngjarje, duke shprehur ngushëllime për viktimat, njoftoi se të mërkurën do të shpallet ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të aksidentit tragjik.

“E sotmja është një ditë tragjike për të gjithë Bullgarinë. Deri më tani, ky aksident u ka marrë jetën 12 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe janë shtruar në spitalet e Burgasit, Slivenit dhe Jambolit. Këto spitale do t’i vizitojmë personalisht pas pak, së bashku me ministrin e Shëndetësisë. Dëshiroj të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave të këtij aksidenti. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjitha ekipet e shpëtimit dhe qytetarët që u mobilizuan dhe ndihmuan në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira. Shpresoj që nga ky moment situata të stabilizohet dhe të mos ketë më viktima. Kemi marrë të gjitha masat, jo vetëm për transportimin e të plagosurve drejt spitaleve, por kemi organizuar edhe një urë ajrore në kohën më të shkurtër të mundshme.”, - deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Policia njoftoi se mbi 70 automjete e kamionë u përfshinë në përplasjen zinxhir, ndërsa trafiku në autostradë u bllokua plotësisht në të dyja drejtimet.

“Më shumë se 70 mjete motorike u përfshinë në këtë tragjedi. Pamja në vendngjarje është me të vërtetë e papërshkrueshme. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në jetën time.”, - theksoi guvernatori rajonal i Yambolit, Georgi Chalakov.

Të mbijetuarit nga përplasja zinxhir tregojnë për momente aksidentit.

“Kolegu im ishte në timon. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Pashë makina të goditura dhe kolegu im frenoi. Pasi u ndalëm, makinat pas nesh filluan të na godisnin pa ndërprerje. Shikueshmëria ishte ekstremisht e dobët prej mjegullës. Diçka horror.”, - tha një shofer kamioni, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes.

“Ngjau nga ngasja me shpejtësi të papërshtatshme. Ne u ndalëm, por mjetet pas nesh vazhduan të na godisnin duke na shtyrë tutje.”, - u shpreh një shofer, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes.

“Nuk e kam idenë se si ndodhi. Mund të kemi qenë duke ecur me rreth 100 kilometra në orë dhe papritur para nesh dolën shumë makina. I shkela frenat fort, por furgoni nuk ndalonte. Më tutje ishte me të vërtetë e frikshme; mjegulla ishte aq e dendur sa nuk shihje asgjë përtej 15 apo 20 metrave.”,  - theksoi shoferi i një furgoni, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes.

Për t'i ardhur në ndihmë të plagosurve, autoritetet ngritën menjëherë një shtab krize. Një avion ushtarak transporti "Spartan" u vu në gatishmëri në Burgas për të bartur dhe transportuar pacientët më kritikë drejt spitaleve të specializuara në Sofje. (Gyltene Sinani, TVM2)