Maqedoni

Banka Popullore: Banka ALTA lejon sërish pagesën e pagave

11.11.2026 10:16

Banka Popullore njoftoi se vazhdon lehtësimin gradual të kushteve për klientët e Bankës ALTA ShA Manastir....

Banka Popullore njoftoi se vazhdon lehtësimin gradual të kushteve për klientët e Bankës ALTA ShA Manastir. Me ndryshimin më të fundit të Vendimit për administrim, mundësohet pagesa e pagave, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse, për kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar rregullisht pagat përmes llogarive të tyre të pagesave në këtë bankë. Kjo mundësi u referohet kompanive për të cilat pagesa e pagave përmes Bankës ALTA ShA Manastir përbën një praktikë të konsoliduar, përkatësisht kompanive që e kanë përdorur vazhdimisht bankën për këtë qëllim edhe gjatë tre muajve para miratimit të vendimit.

Gjithashtu, shuma e mjeteve që mund të përdoren nga llogaria e pagesave e kompanisë në Bankën ALTA për pagesën e pagave mund të jetë deri në 5% më e lartë krahasuar me shumën e përgjithshme të pagave të paguara në muajin tetor. Në këtë mënyrë, mundësohet vazhdimësia e praktikave ekzistuese të pagesave dhe përmbushja e detyrimeve ndaj punonjësve dhe shtetit, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi daljen e mjeteve nga banka. 
 
Me këtë ndryshim, personave fizikë u mundësohet gjithashtu të disponojnë plotësisht me mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre në Bankën ALTA ShA Manastir, nëse këto mjete vijnë nga llogari pagesash të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Kjo do të thotë se qytetarët mund t'i përdorin pa kufizim në shumë mjetet që u transferohen shtesë në llogaritë e tyre mbi këtë bazë. 
 
Banka Popullore po e monitoron me kujdes gjendjen në Bankën ALTA ShA Manastir dhe vazhdon t'i përshtatë masat, duke marrë parasysh kushtet e funksionimit të bankës dhe nevojat e klientëve të saj. Prioritet mbetet mbrojtja e interesave të klientëve dhe lehtësimi gradual i kufizimeve, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin e duhur mbi daljen e mjeteve nga banka.