Botë
Zelensky: Putini jeton në një “realitet tjetër”
11.11.2026 11:41
Ukraina dhe Rusia kanë vijuar të mërkurën në Abu Dhabi bisedimet për përfundimin e luftës...

Ukraina dhe Rusia kanë vijuar të mërkurën në Abu Dhabi bisedimet për përfundimin e luftës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ShBA-ja ka mbështetur vlerësimin e Ukrainës për situatën në fushëbetejë, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, jeton në një “realitet tjetër”.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në Abu Dhabi po zhvillohen bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe ShBA-së, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni. Bisedimet kanë nisur të martën dhe do të vazhdojnë edhe të mërkurën. Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky ka thënë se pala ruse kishte pretenduar gjatë bisedimeve se kishte pushtuar gjysmën e rajonit të Donbasit, në lindje të Ukrainës. Zelensky ka thënë po ashtu se ishte “i kënaqur” që kishte vërejtur një ndryshim në qasjen e ndërmjetësuesve amerikanë gjatë bisedimeve në Abu Dhabi. Presidenti ukrainas e ka cilësuar ditën e parë të bisedimeve, të parat diskutime trepalëshe që nga shkurti, si konstruktive dhe përmbajtjesore. Ai ka thënë se në agjendën e takimit në Abu Dhabi ishte përfshirë edhe hartimi i një arkitekture të re të sigurisë për Evropën, ide kjo e ngritur të martën nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në Abu Dhabi, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se synojnë të arrijnë një “fund të përhershëm” të luftës. Një pjesë e propozimit të administratës Trump-i përfshin hartimin e një “arkitekture afatgjatë të sigurisë” mes Rusisë dhe Evropës. Megjithatë, zyrtarët evropianë janë të shqetësuar se Moska mund të këmbëngulë në kërkesat e saj të ashpra që NATO-ja të zvogëlojë praninë ushtarake në të gjithë Evropën Lindore, gjë që do t’i linte aleatët të ekspozuar ndaj ndikimit të Rusisë.
