Botë
Britani, arrestohet një ushtarak i lartë amerikan, dyshohet për spiunazh në favor të Rusisë
11.11.2026 13:37
Një ushtarak i lartë amerikan është arrestuar në BM nën dyshimin për vepra që cenojnë sigurinë kombëtare dhe që lidhen me Rusinë, njoftoi policia britanike....

Një ushtarak i lartë amerikan është arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin për veprimtari spiunazhi të lidhura me Rusinë, njoftuan autoritetet britanike dhe amerikane.
41-vjeçari u arrestua pranë qytetit Gloucester, në jugperëndim të Anglisë, pas një hetimi të përbashkët të policisë britanike kundër terrorizmit, FBI-së dhe autoriteteve ushtarake amerikane.
Sipas policisë britanike, i dyshuari është ndaluar për shkelje të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Londër. Ndërkohë, autoritetet po kryejnë kontrolle në dy vendndodhje në qarkun Gloucestershire.
Gjeneralbrigade Sean Stinchon, drejtues i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, deklaroi se rasti përfshin një ushtarak të lartë, të cilit i ishte besuar informacion i ndjeshëm, duke paralajmëruar për rrezikun e vazhdueshëm të kërcënimeve të brendshme.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi arrestimin si një zhvillim të rëndësishëm në një rast të dyshuar spiunazhi, që përbën shqetësim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
Autoritetet britanike theksuan se arrestimi është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me institucionet amerikane. Hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit e policisë së Londrës, ndërsa akuzat e dyshuara lidhen me Rusinë.
