Gjykata Penale, procesi gjyqësor për “Lotarinë Shtetërore”

11.11.2026 16:46

Me dëshminë e ekspertes Anita Popovska...

Me dëshminë e  ekspertes Anita Popovska vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore” në Gjykatën Penale në Shkup, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë.

Gjatë dëshmisë së saj, Popovska deklaroi se nga ekspertiza  nuk janë konstatuar kontrata individuale, dorëzim i pajisjeve, faturim apo pagesa për operatorin e tretë ekonomik, i cili ishte përzgjedhur në procedurën e prokurimit publik.

Popovska sqaroi se ekspertiza ka përfshirë të gjithë procesin e prokurimit të terminaleve videolotarike, nga planifikimi dhe përzgjedhja e operatorëve ekonomikë deri te kontraktimi, dorëzimi i pajisjeve dhe realizimi i pagesave. Ajo bëri të ditur se për prokurimin e terminaleve videolotarike janë paguar gjithsej 596.125.511 denarë, apo rreth 9.7 milionë euro.

Avokati Asmir Alispahiq tha se mbrojtja kundërshtoi tejkalimin e objektit të ekspertizës, duke vlerësuar se disa nga çështjet e trajtuara duhej të ishin objekt i një ekspertize të veçantë.

“U parashtruan pyetje të drejtpërdrejta, të cilat janë jashtë përmbajtjes së vetë ekspertizës dhe ndaj të cilave mbrojtja kundërshtoi. Mbrojtja konsideron se pyetjet e tilla, të cilat dalin jashtë  urdhrit të lëshuar, si dhe përgjigjet e dhëna në vetë raportin e ekspertizës dhe mendimin profesional, në fakt përbëjnë çështje që duhet të jenë objekt i një ekspertize tjetër dhe jo i kësaj ekspertize.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, përmes një prokurimi të paligjshëm të aparateve të lojërave të fatit, i kanë shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh. Të gjithë të akuzuarit deri më tani janë deklaruar të pafajshëm. (Gazmend Kurtishi, TVM2)