Botë
Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë, priten bisedime me Putinin për përfundimin e luftës në Ukrainë
12.11.2026 11:01
Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur në Moskë për bisedime me presidentin rus...

Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur në Moskë për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Vizita vjen pas dy ditësh negociatash në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës diskutuan mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Bisedimet u cilësuan nga zyrtarët amerikanë si të vështira, por produktive, megjithëse nuk është shënuar përparim i dukshëm, përveç përgatitjeve për një shkëmbim të madh të të burgosurve.
Witkoff dhe Kushner u pritën në aeroportin e Moskës nga zyrtari rus Kirill Dmitriev. Pas takimit me Putinin, ata pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Çështja e territoreve mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e paqes. Rusia kërkon kontroll të plotë mbi rajonin e Donjeckut, ndërsa kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve nuk është i pranueshëm.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shpresën se negociatat do të sjellin rezultate konkrete deri në fund të vitit, duke theksuar se përparimi do të varet edhe nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Moskës. Kievi vazhdon të kërkojë shtimin e presionit ndaj Rusisë.
Ndërkohë, sulmet mes dy vendeve kanë vazhduar edhe gjatë ditës së vizitës. Autoritetet ukrainase raportuan viktima në Kiev dhe Herson, si dhe dëmtime të infrastrukturës energjetike në rajonin e Rivnes. Nga ana tjetër, autoritetet ruse njoftuan se kishin rrëzuar disa dronë që po fluturonin drejt Moskës dhe rajoneve të tjera të vendit.
