Botë
Shembja e ndërtesës në Nju Jork, dy viktima dhe 19 të plagosur, vijojnë kërkimet nën rrënoja
12.11.2026 12:45
Numri i viktimave nga shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut ka arritur në dy, ndërsa 19 persona janë plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike....

Numri i viktimave nga shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut ka arritur në dy, ndërsa 19 persona janë plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve lokale, mes të plagosurve janë shtatë fëmijë dhe një zjarrfikës. Më shumë se 250 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të paqëndrueshmërisë së rrënojave dhe rrezikut për shembje të tjera.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e cilësoi shembjen e ndodhur të mërkurën pasdite në Flatbush Avenue si katastrofike, duke theksuar se ekipet e para të shpëtimit mbërritën në vendngjarje vetëm një minutë pas thirrjes për ndihmë.
Pamjet e transmetuara nga mediat amerikane tregojnë ekipet e shpëtimit duke kërkuar të mbijetuar nën rrënoja dhe duke nxjerrë persona të bllokuar. Autoritetet kanë paralajmëruar se operacioni mund të zgjasë, ndërsa numri i të lënduarve mund të ndryshojë.
Shkaqet e shembjes mbeten ende të panjohura dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
