Botë
Alarm për bomba në Itali, kërcënime të rreme në 6.300 shkolla
12.11.2026 16:28
Rreth 6.300 institucione arsimore në të gjithë Italinë janë përballur me kërcënime për vendosjen e bombave...

Rreth 6.300 institucione arsimore në të gjithë Italinë janë përballur me kërcënime për vendosjen e bombave, pasi kanë pranuar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se shteti nuk do të lejojë që mesazhe të tilla anonime të cenojnë procesin arsimor dhe jetën e përditshme të nxënësve.
Pas kontrolleve të kryera, nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me shërbimet evropiane të sigurisë.
“Mijëra shkolla në të gjithë Italinë kanë pranuar mesazhe kërcwnuese me bombë. Nxënësit e cdo klase me ndihmën e mësimdhënësve janë evakuuar në kohë, por gjëja më e rëndësishme është se nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes në asnjë shkollë.”, - deklaroi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Ndërkohë, pas një dite të tensionuar dhe frike në shkollat italiane, institucionet arsimore i rikthehen normalitetit. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, garantoi se nuk ekziston asnjë rrezik konkret dhe se të gjitha shkollat do të jenë të hapura për zhvillimin normal të mësimit.
“Dua të qetësoj të gjithë, pasi në këtë moment nuk ka asnjë arsye për alarm. Të gjitha shkollat do të jenë të hapura rregullisht. Në shkollë mund të shkohet pa asnjë problem.”, - theksoi ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara.
Ministri i Arsimit, Valditara, tha se ende nuk është e qartë nëse pas këtyre mesazheve fshihen persona që synojnë të krijojnë panik apo nëse bëhet fjalë për individë që veprojnë pa një strategji të mirëpërcaktuar.
Megjithatë, ai theksoi se institucionet po e ndjekin me seriozitet situatën dhe se forcat e rendit dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Ndërkohë, zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini ka hedhur poshtë pretendimet dhe spekulimet për një përfshirje të mundshme ruse në alarmet për bombë në shkolla.
BELINDA KOKA ADEMI
