Liga e Kombeve, Skoci – Maqedoni, trajnerët e të dy përfaqësueseve synojnë fitoren

13.11.2026 12:30

Sonte, në orën 20:45, në stadiumin “Hampden Park” në Glasgow, përfaqësuesja jonë më e mirë e futbollit do të jetë mysafire e Skocisë...

Sonte, në orën 20:45, në stadiumin “Hampden Park” në Glasgow, përfaqësuesja jonë më e mirë e futbollit do të jetë mysafire e Skocisë, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Ligës B të Kombeve, në Grupin 4. Maqedonia ende nuk ka regjistruar fitore dhe as nuk ka shënuar gol, por përzgjedhësi thotë se atmosfera në ekip është përmirësuar. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ai u bëri thirrje futbollistëve të luajnë me guxim dhe ta shijojnë ndeshjen.

“E dimë se çfarë lojtarësh kanë në dispozicion. Ne kemi luajtur në Shkup, ku ata na mposhtën me rezultatin 2:0. Jemi të përgatitur për t'i korrigjuar gabimet tona. Gjatë këtyre tri ditëve që kemi stërvitur në Shkup, kemi arritur ta përmirësojmë atmosferën. Mendoj se lojtarët do të japin gjithçka nga vetja për të arritur një rezultat pozitiv. Rezultatet deri tani janë ato që janë, por mendoj se do të arrijmë të dalim nga kjo periudhë me rezultate negative. U kam kërkuar lojtarëve të luajnë me guxim, të mos kenë frikë dhe ta shijojnë ndeshjen.”, u shpreh Goce Sedlloski, përzgjedhës i Maqedonisë.

Përzgjedhësi i Skocisë, Sebastian Pokonjoli, paralajmëron se kundër Maqedonisë do të luajnë në mënyrë sulmuese që nga minuta e parë, ndërsa objektivi është fitorja. Belgu e ka regjistruar fitoren e tij të vetme si përzgjedhës i Skocisë pikërisht në transfertën në Shkup, ku triumfoi ndaj Maqedonisë me rezultatin 2:0.

“Po, ne zhvilluam një ndeshje shumë të mirë atje. Në fakt, mendoj se edhe Maqedonia luajti një ndeshje të mirë në Zvicër. Sa na përket neve, ndeshja në transfertë në Maqedoni ishte ndoshta ndeshja më e mirë nga të katërta. Duhet të jemi të përgatitur që nga minuta e parë. Fitorja e parë në shtëpi për mua, së bashku me këta djem, do të jetë shumë e rëndësishme. Nëse arrijmë ta realizojmë atë me një lojë të mirë futbolli, do të jetë edhe më domethënëse.”, u shpreh Sebastian Pokonjol, përzgjedhës i Skocisë.

Sa u përket përballjeve me Skocinë, kjo do të jetë ndeshja e gjashtë ndërmjet dy përfaqësueseve. Deri më tani kemi regjistruar vetëm një fitore, një barazim dhe tri humbje. Fitorja e vetme është arritur nën drejtimin e Sreçko Katanecit, më 6 shtator 2008, në Shkup, kur Maqedonia fitoi me rezultatin 1:0, falë golit të Ilço Naumoskit. Kjo ishte përballja e parë me përfaqësuesen e Skocisë dhe, deri më tani, mbetet fitorja jonë e vetme ndaj kësaj kombëtareje. Ndeshjen e fundit e zhvilluam më 3 tetor të këtij viti, në kuadër të këtij edicioni të Ligës B të Kombeve. Maqedonia pësoi humbje me rezultatin 0:2, me golat e shënuar nga Bovi dhe MekGini nga pika e bardhë. Pas katër xhirove në Ligën B të Kombeve, në krye të grupit renditet Zvicra me 12 pikë, e ndjekur nga Sllovenia me shtatë pikë, Skocia me katër pikë, ndërsa Maqedonia ndodhet në vendin e fundit pa asnjë pikë.