Defekt në sistemet e Microsoft, probleme globale me Outlook dhe Teams, preket edhe Policia
Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft ka shkaktuar probleme për mijëra përdorues në mbarë botën...

Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft ka shkaktuar probleme për mijëra përdorues në mbarë botën, duke prekur platformat Outlook, Teams dhe shërbime të tjera të Microsoft 365. Raportohet se problemet kanë prekur edhe Policinë.
Problemet nisën të enjten dhe vazhduan edhe gjatë së premtes, duke penguar përdoruesit të dërgojnë dhe të marrin email-e, të hapin kutitë postare dhe të përdorin funksione të ndryshme të komunikimit.
Sipas platformës Downdetector, në kulmin e ndërprerjes u regjistruan rreth 130 mijë raportime për probleme. Përveç Outlook dhe Teams, u prekën edhe Word, Excel, PowerPoint, SharePoint, OneDrive dhe asistenti me inteligjencë artificiale Copilot.
Microsoft njoftoi se defekti lidhej me një numër të madh serverësh që ishin bërë papritur të padisponueshëm, duke shkaktuar mbingarkesë në pjesën tjetër të infrastrukturës dhe ndërprerje të shërbimeve.
