SHBA, mijëra udhëtarë të bllokuar në aeroporte, rifillojnë disa fluturime pas pezullimit disaorësh
Mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroportet amerikane...

Mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroportet amerikane, pasi një problem në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror shkaktoi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve.
Edhe pse një pjesë e tyre kanë rifilluar, vonesat dhe anulimet vazhdojnë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, fajësoi teknologjinë e vjetruar dhe mbingarkesën e rrjetit, duke paralajmëruar se normalizimi i situatës do të jetë gradual.
“Është shumë e thjeshtë. Kemi pajisje dhe ruterë të vjetër. Përdorim linja të vogla bakri të viteve 1980. Është një sistem i vjetër që ra, dhe ra kudo. Thjesht u mbingarkua." – tha Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy.
Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markëayne Mullin, deklaroi se ndërprerja lidhej me përditësimet e kryera në sistemet e vjetra të Administratës Federale të Aviacionit.
Ai theksoi se incidenti nuk kishte lidhje me ndonjë kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe as me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it gjatë kësaj jave.
“Nuk kemi parë asnjë provë se ky ishte një sulm kibernetik. Zakonisht, në raste të tilla dikush del dhe merr përgjegjësinë, por nuk ka asnjë lloj gjurme të personave që mund të kenë depërtuar në sistem. Duket se ka qenë një problem i natyrës mekanike." – u shpreh Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markëayne Mullin.
Për pasagjerët, situata është shoqëruar me radhë të gjata në aeroporte, pasiguri për udhëtimet dhe pritje të gjata për riorganizimin e fluturimeve. Disa prej tyre janë detyruar të kalojnë natën në ambientet e aeroporteve.
“Erdha në aeroport rreth mesditës, kisha fluturim, në orën 14:20. Hipëm në avion dhe qëndruam brenda për katër orë e gjysmë, sepse menjëherë pas kësaj u ndaluan të gjitha udhëtimet.” – tha Milton Bravo, udhëtar.
“Duhej të shkonim në Memfis përmes Çikagos dhe më pas nga Çikago në Londër. Por kjo nuk u arrit, sepse Administrata e Aviacionit mbylli transportin.” – deklaroi Diana Sullivan, udhëtare.
“Po përpiqem të gjej valixhen time, e më pas të bëj një rezervim në hotel për të kaluar natën, para se të nisem sërish për në Meksikë." – u shpreh Alex, udhëtar.
Sekretari Duffy paralajmëroi se probleme të ngjashme mund të përsëriten nëse nuk modernizohet infrastruktura e kontrollit ajror. Ai i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratojë fondet e nevojshme për përmirësimin e sistemeve.Megjithatë, sipas tij, situata nuk pritet të ndikojë në udhëtimet për festën e Falënderimeve, që festohet në fund të nëntorit.
Ndërkohë, autoritetet dhe kompanitë ajrore po punojnë për rikthimin e plotë të trafikut ajror. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
