Ukrainë, SHBA propozon të lëshohet Donbasi në këmbim të NATO-s

14.11.2026 19:32

Gjatë bisedimeve të fundit për paqe në Abu-Dabi...

Gjatë bisedimeve të fundit për paqe në Abu-Dabi, negociatorët amerikanë i kanë propozuar Ukrainës t’ia dorëzojë Rusisë rajonin e Donbasit në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se Kievi nuk ka ndërmend të tërhiqet nga territoret e tij, ndërsa kërkoi edhe heqjen e kufizimeve të shpejtësisë së sistemit “Starshield” përgjatë vijës së frontit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia.

“Territori i Ukrainës i pushtuar përkohësisht është i yni, është territor ynë sovran, ndërsa kufizimet e shpejtësisë atje dërgojnë një sinjal shumë, shumë të keq. Kjo e kufizon aftësinë tonë për të interceptuar dronët Shahed.” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.  

Në të gjitha negociatat e ardhshme për paqe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Polonia, së bashku me Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian.

Ndërkohë, BE-ja ka premtuar mbështetje shtesë për Ukrainën.

“Mënyra më e mirë për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e negociatave është të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të mbajmë presionin maksimal ndaj Rusisë. Pikërisht për këtë arsye, së shpejti do të propozojmë paketën e 22-të të sanksioneve.” – deklaroi Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen.

Presidentët e SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, pritet të takohen javën e ardhshme në margjinat e samitit të APEK-ut, në qytetin kinez Shenzhen, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në takim pritet të diskutohet për reduktimin e armatimit bërthamor. Sipas njoftimit, SHBA-ja synon të ngrejë edhe çështjen e Iranit, ndërsa ajo e Ukrainës nuk pritet të jetë pjesë e diskutimeve. (Fitim Kryeziu, TVM2)