Rajon
Rizvanolli: Qeveria e Kosovës ndalon tregtimin e energjisë me kompani serbe
16.11.2026 12:20
Rizvanolli ka njoftuar se Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e tregtimit së energjisë elektrike me kompanitë serbe....

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e tregtimit së energjisë elektrike me kompanitë serbe. Ajo ka sqaruar se masa vlen për kompanitë që operojnë në Kosovë dhe që kanë lidhje pronësore apo aksionarë nga Serbia.
“Vendimi përfshin kompanitë serbe që kanë kompani amë ose që kanë lidhje ose aksionarë me lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me shtetas serb. Kjo nuk do të thotë se deri tash kemi pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë. Siç e kam thënë, ndërmarrjet tona, KOSTT dhe KEK, nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe gjatë qeverisjes tonë. Sipas informatave që i kemi nga KEDS dhe KESCO, as ata nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe. Një gjë e tille nuk ka qenë e ndaluar, por nga sot është e ndaluar. Kjo do të thotë që energjia elektrike nga shtetet e tjera nuk mund të vijë përmes këtyre linjave, duke përfshirë këtu faktin se vështirësohet shumë dhe pamundësohet sjellja e energjisë elektrike nga bursa e GUPEX-it, që është një ndër bursat më likuide të rajonit.”, – tha Rizvanolli.
