Interpretimi i këngës serbe në Bruksel, Haxhiu: Përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës
Autoritetet e Kosovës kanë reaguar ashpër...

Autoritetet e Kosovës kanë reaguar ashpër duke e quajtur skandaloze interpretimin në Bruksel të këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e njohur për pretendimet nacionaliste serbe mbi Kosovën. Kjo këngë u interpretua në prag të edicionit të dytë të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisionares për Zgjerim, Marta Kos.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar këtë ngjarje si thellësisht shqetësuese, duke theksuar se kënga në fjalë promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, thekson kryeparlamentarja Haxhiu.
Kos: Kënga serbe nuk paraqet qëndrimin e BE-së
Ndërkohë komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe, e cila u lëshua në koncertin e organizuar në prag të "Forumit të zgjerimit" në Bruksel.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.”, ka thënë Kos, duke shtuar se janë të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën.
Rizvanolli: Mirëpresim reagimin e Kos-it, kërkojmë hetim
Qeveria e Kosoves e ka mirëpritur keqardhjen e komisionares Kos, por kërkon hetim për atë se si ka ardhur deri te ajo që kënga nacionaliste serbe të interpretohet në Bruksel.
“Çmojmë reagimin e komisionares Kos, megjithatë duhet të konsiderojmë se duhet të hetohet se si ka ardhur deri te kjo. Do ta quaja skandaloze atë që ka ndodhur dhe tronditëse për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata në rajon që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë.”, - theksoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe kryenegociatori Jeton Zulfaj. (Gyltene Sinani, TVM2)
