Fati i Bankës ALTA, Banka Popullore ndërmerr hapa për sigurimin e pronarit të ri

16.11.2026 15:58

Banka Popullore ndërmerr hapat për sigurimin e një pronari të ri...

Banka Popullore ndërmerr hapat për sigurimin e një pronari të ri të Bankës ALTA, ndërsa ankandi i parë, siç njoftohet, do të jetë  më 30 nëntor. Në rast se aksionet nuk shiten në ankandin e parë, ankandet e radhës do të mbahen njëri pas tjetrit, më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor 2026.

Sipas Bankës Popullore të RMV-së, kjo procedurë është pjesë e aktiviteteve që synojnë sigurimin e një pronari të ri të Bankës, krijimin e kushteve për  personat që i plotësojnë kushtet ligjore, vazhdimin e funksionimit të saj dhe ruajtjen e interesave të depozituesve dhe klientëve të tjerë.

“Me qëllim gjetjen e një pronari të ri dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e funksionimit të qëndrueshëm të Bankës ALTA ShA Manastir, Banka Popullore ka shpallur procedurën për shitjen e paketës dominuese të aksioneve në këtë bankë. Bëhet fjalë për 372.742 aksione të zakonshme, përkatësisht 95,336% të numrit të përgjithshëm të aksioneve, të cilat janë në pronësi të Bankës ALTA ShA Beograd – në falimentim. Shitja do të realizohet përmes Bursës së Maqedonisë së Letrave me Vlerë, sipas modelit “gjithçka ose asgjë”, - që do të thotë se do të shitet e gjithë paketa e ofruar e aksioneve, pa mundësi për blerjen vetëm të një pjese të tyre.

Ankandi i parë publik në bursë është caktuar për 30 nëntor 2026. Çmimi fillestar është përcaktuar në bazë të çmimit aktual të bursës dhe është 3.777 denarë për aksion.

Banka ALTA, akuzat mes palëve, VMRO: LSDM-ja ia mundësoi blerjen e aksioneve në vend

Ndërkohë vazhdojnë akuzat ndërpartiake për gjetjen e fajtorit se kush ia hapi derën Bankës ALTA, që të depërtojë në tregun financiar të vendit.

“Filipçe është fshehur në selinë e LSDM-së, në rrugën Bihaçka, pasi u zbulua e vërteta për Bankën ALTA. Me muaj të tërë flisnin për Davor Macurën dhe Bankën ALTA, ndërsa në fund doli se pikërisht ata ishin të parët që i kishin lejuar të blinte aksione në Maqedoni, të njëjtit person për të cilin flisnin se ishte kriminel dhe se posedonte kapital të dyshimtë. Përhapnin panik dhe histeri se banka do të falimentonte dhe se qytetarët do të mbeteshin pa para. Por, pasi të gjithë pamë se banka është likuide dhe se nuk do të falimentojë, si dhe se shteti po angazhohet për mbrojtjen e qytetarëve, filluan me sulme personale ndaj kryetarit Mickoski.”, - deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Prokuroria të japë përgjigje për kallëzimin tonë

Lidhja Socialdemokrate kërkon nga Prokuroria Publike prononcim se deri ku ka mbërritur kallëzimi penal i këtij subjekti për Bankën ALTA.

"Koha po kalon, ndërsa Prokuroria hesht për kallëzimin penal të paraqitur nga LSDM-ja për Bankën ALTA. Prokurori Nenad Savevski ka detyrim që para qytetarëve të përgjigjet: deri ku ka arritur procedura lidhur me kallëzimin penal kundër Trajko Sllavevskit dhe personave të tjerë përgjegjës në Bankën Popullore për Bankën ALTA? A është formuar lëndë? A është caktuar prokuror që do të merret me të? Cilat veprime janë ndërmarrë? Kallëzimi penal është bazik, i gjerë dhe përmban aspekte konkrete juridike, si dhe dyshime të bazuara për punë të pandërgjegjshme në shërbim dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.",  thuhet në komunikatën e LSDM-së.

BDI: Pas Bankës ALTA edhe insulina në dorën serbe

Në këtë temë aktuale, pas akuzave politike lidhur me Bankën ALTA, BDI-ja opozitare ka dalë me reagim përmes së cilës thonë se edhe insulina është nën menaxhim të Serbisë.

“Phoenix Pharma” është marrë nën kontroll nga një biznesmen serb i industrisë së kazinove.

“Më 3 prill 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, me vendimin nr. 08-55, miratoi blerjen e “Phoenix Pharma” nga kompania serbe “VEGA”, e lidhur me Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart. Por, për çfarë kompanie bëhet fjalë? Vetëm gjatë vitit 2026 “Vega Farmaceutikals” ka fituar mbi 50 kontrata publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe klinikat e ndryshme, me vlerë që tejkalojnë shumat milionëshe, në euro. Vetëm për insulinat rreth 10 milionë euro. Institucioni që duhet të mbrojë konkurrencën ka miratuar kalimin e një furnizuesi me rol dominues në tenderët e insulinës nën kontrollin e një biznesmeni serb të lojërave të fatit.”, - theksoi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Sipas BDI-së opozitare, insulina nuk është biznes i zakonshëm, është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)