Ulet vdekshmëria perinatale, Klekovski: Arritje që meriton vlerësim

16.11.2026 16:41

Çdo e dhjeta lindje në vend është e parakohshme...

Çdo e dhjeta lindje në vend është e parakohshme. Aktualisht, në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë trajtohen 43 foshnja të lindura para kohe, ndërsa 20 prej tyre kanë nevojë për mbështetje mekanike në frymëmarrje. 

Edhe pse nga njëra anë është rritur përqindja e foshnjave të lindura para kohe, nga ana tjetër është ulur vdekshmëria perinatale. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, kjo është një arritje që meriton vlerësim.

“Jemi 174 për qind mbi nivelin e synuar, përkatësisht kemi arritur të jemi nën mesataren evropiane të vdekshmërisë. Mendoj se në këtë ditë, përveç kritikave, është mirë të gjejmë kohë edhe për të vlerësuar arritjet dhe ky vlerësim nuk u takon vetëm një gjenerate drejtorësh të institucioneve shëndetësore publike, por është mirënjohje për një përpjekje dhjetëvjeçare për të kaluar nga një vend me vdekshmëri të lartë në një vend që është nën mesataren evropiane. Kjo tregon se, kur duam, mund të arrijmë edhe standardet evropiane, madje t'i tejkalojmë ato.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Mbi 90 për qind e foshnjave që lindin para javës së 32-të të shtatzënisë mbijetojnë. Sipas drejtoreshës së Klinikës Universitare të Gjinekologjisë, pas këtyre shifrave fshihen histori të vërteta suksesi.

“Foshnja më e vogël që vitin e kaluar u dërgua në shtëpi kishte lindur në javën e 24-të të shtatzënisë dhe peshonte 715 gramë, ndërsa pesha më e vogël e regjistruar ishte 530 gramë. Këto janë fëmijë që kërkojnë trajtim për disa javë, madje edhe muaj. Duhet të theksoj se dalja e tyre nga spitali nuk është rastësi, por rezultat i një pune sistematike.”, - theksoi drejtoresha e Klinikës Universitare të Gjinekologjisë, Irena Aleksioska Papestiev.

Pavarësisht se lindin para kohe, me kujdesin e duhur mjekësor këto foshnja mund të kenë një jetë normale, thotë Elizabeta Petkovska, udhëheqëse e Repartit të Terapisë Intensive në Klinikë.

“Historitë më të suksesshme janë ato të foshnjave më të vogla, me peshë nga 500 deri në 1.000 gramë, të lindura ndërmjet javës së 22-të dhe të 26-të të shtatzënisë. Ata janë luftëtarët tanë të vegjël  të mëdhenj, me potencial të jashtëzakonshëm, ashtu siç thotë edhe motoja e këtij viti.”, - u shpreh udhëheqësja e Repartit të Terapisë Intensive, Elizabeta Petkovska.

Deri në muajin tetor, në vend kanë lindur 610 foshnja para kohe që tregon se përqindja e grave që lindin para kohe është në rritje.

Sipas mjekëve, stili i shëndetshëm i jetesës dhe kujdesi për shëndetin riprodhues janë faktorë të rëndësishëm për një shtatzëni të shëndetshme, prandaj apelojnë që gratë shtatzëna të mos i neglizhojnë kontrollet gjatë shtatzënisë, pasi diagnostikimi i hershëm mundëson rezultate më të mira dhe shtatzëni më të shëndetshme. (Sara Kajolli, TVM2)