Bujar Osmani: Dokumentet e publikuara për Alta Bankën nga VLEN-i nuk kanë lidhje me procesin

16.11.2026 21:06

Duke folur në emisionin “VERDICT” në TVM2, Osmani tha se VLEN-i ka mundur të dalë më lehtë nga kjo situatë, nëse do të ishte distancuar nga gjithë situata e krijuar.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka kritikuar përfaqësuesit e VLEN-it lidhur me dokumentet që ata kanë prezantuar në lidhje me çështjen e Alta Bankës.

Duke folur në emisionin “VERDICT” në TVM2, Osmani tha se VLEN-i ka mundur të dalë më lehtë nga kjo situatë, nëse do të ishte distancuar nga gjithë situata e krijuar.

“Mirëpo hyjnë tash dhe nxjerrin dokumente të cilat nuk kanë lidhje me procesin, dhe të dalin para qytetarëve edhe të thonë se kjo ka lidhje me blerjen e Stopanska Bankës, është t'i ofendosh qytetarët, njerëzit që të kanë votuar, ta ofendosh popullin”, deklaroi Osmani.

Ai shpjegoi se dokumenti i vitit 2023, të cilit i referohet debati, lidhet me aksionet që shtetet pas shpërbërjes së Jugosllavisë kishin marrë në Bankën e Jugosllavisë në Beograd.

Sipas Osmanit, Maqedonia e Veriut kishte rreth 1.5 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa mbrojtja e tyre është në përgjegjësi të Ministrisë së Financave.

“Alta Banka pastaj e blen atë bankën jugosllave. Edhe këto aksione mbetën te kjo banka e re tash. Edhe normalisht që qeveria, prej jo vetëm 2023-ën, edhe më herët, ka kërkuar mbrojtjen e interesit tonë. Po kjo s'ka lidhje me hyrjen e Alta Bankës këtu”, u shpreh Osmani në VERDICT në TVM2.