Maqedoni

Kuvend, 35-vjetori i pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës

17.11.2026 08:52

Sot shënohen 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë të Maqedonisë së pavarur...

Kuvendi shënon 35-vjetorin e pavarësisë dhe miratimin e Kushtetutës së parë. Aktiviteti po zhvillohet nën organizim të Kuvendit të Republikës, Institutit të Historisë Nacionale dhe Arkivit Shtetëror.
 
Me këtë rast u transmetua filmi dokumentar 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë, ndërsa fjalë hyrëse patën kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Afrim Gashi; drejtori i Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Bogeski; drejtori i Institutit të Historisë Nacionale, Mitko Panov dhe presidentja e Republikës, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Në këtë ditë, 35 vjet më parë, më 17 nëntor 1991, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur maqedonas, me çka u vendosën themelet e rregullimit të tij kushtetues-juridik. Akti më i lartë shtetëror u miratua në një periudhë ndryshimesh historike dhe shpërbërjeje të ish-federatës jugosllave, pas referendumit të 8 shtatorit 1991, në të cilin qytetarët u deklaruan për një shtet të pavarur dhe sovran. Me Kushtetutën, Maqedonia u përcaktua si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social, ndërsa u vendosën parimet themelore të demokracisë parlamentare, ndarjes së pushteteve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe korniza institucionale e shtetit të pavarur. Miratimit të Kushtetutës i parapriu Deklarata e Pavarësisë, e miratuar nga përbërja e parë shumëpartiake e Kuvendit më 25 janar 1991. Megjithatë, procesi i pavarësimit u shoqërua edhe me mospajtime politike. Një pjesë e komunitetit etnik shqiptar e bojkotoi referendumin, ndërsa deputetët shqiptarë nuk e mbështetën Kushtetutën e re.