Rajon

Rasti “Administrimi i Drejtësisë”, Haga shpalli Thaçin fajtor

17.11.2026 11:02

Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë...

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e njohur si “Administrimi i Drejtësisë”, ku të akuzuar përveç ish-presidentit të Kosovës, janë edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj; ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj; ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Fadil Fazliu.
 
Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Christopher Gosnell, i cili bëri të ditur se Thaçi dënohet me 17 muaj burgim, si dënim të njësuar për veprat penale për të cilat u shpall fajtor.
 
Thaçi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës. Ai u shpall gjithashtu fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikave 8, 10 dhe 11 të aktakuzës.
 
Ndërkaq, gjykatësi e shpalli të pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë, sipas pikës 3 të aktakuzës, dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikës 9. Smakaj e Fazliu dënohen me nga 12 muaj burgim, Kilaj dhe Kuçi shpallen të pafajshëm pjesërisht.
 
Gjykatësi Christopher Gosnell ka shpallur fajtor Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke i dënuar me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, meqë të dy kanë kaluar në paraburgim më gjatë se periudha e dënimit, gjykatësi ka bërë të ditur se dënimet konsiderohen të shlyera dhe se ata do të lirohen në përfundim të seancës. Gjithashtu, do t'u kthehen garancitë financiare. Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për të dyja pikat e aktakuzës ndaj tij dhe do të lirohet pas përfundimit të seancës, ndërsa do t'i kthehet edhe garancia financiare.
 
Edhe Hajredin Kuçi është shpallur i pafajshëm për njërën nga dy pikat e aktakuzës, ndërsa për pikën tjetër është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me kusht prej një muaji burgim, i cili do të konsiderohet i kryer nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.