Edhe një dënim për Thaçin në Hagë, 17 muaj burg për pengim të drejtësisë

17.11.2026 14:51

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin e plotë...

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin e plotë për rastin që lidhet me pengimin e drejtësisë, duke shqiptuar gjithsej 41 muaj burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajn e Fadil Fazliun.

Ish-presidenti Thaçi i është shqiptuar dënimi me 17 muaj burgim për vepra penale që përfshijnë tentativën për pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.

“Unë ju shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të veprimit të përbashkët sipas nenit 401 paragrafi 2, 3 dhe 5, sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës, fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës sipas nenit 392, paragafi 1 dhe dy, sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7 dhe fajtor për mosbindje ndaj gjykatës sipas nenit 393 paragrafi 1, sipas pikave 8, 10 dhe 11 të aktakuzës. Për veprat penale për të cilat u shpallët fajtor dënoheni me dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.”, - deklaroi gjykatësi, Kristofer Gosnell.

Sipas gjykatësit Gosnell, Thaçi kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj. Këto grupe dyshohet se ishin organizuar gjatë vizitave të ndryshme në Hagë, gjatë vitit 2023, me qëllim të pengimit të punës së Prokurorisë dhe ndikimit te dëshmitarët që pritej të dëshmonin në procesin gjyqësor. Pas shqiptimit të dënimit, Thaçi vlerësoi se bëhet fjalë për vendim politik.

“Kjo është politikë, jo drejtësi.”, - u shpreh Hashim Thaçi.

Edhe për iniciativën “Jo në emrin tim”, vendimi i gjykatës në Hagë është politik.

“Ish-ushtarët dhe udhëheqësit shqiptarë të luftës në Kosovë përballen me standard të ndryshme të trajtimit gjyqësor dhe me dënime që në raste të krahasueshme tejkalojnë ato që janë shqiptuar ndaj udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit.”, - theksoi Çlirim Haziri nga Iniciativa “Jo në emrin tim”.

Edhe OVL-UÇK, vlerësoi se ky proces, ka dëshmuar se në asnjë moment nuk është bërë drejtësi. Sipas kësaj organizate, Gjykata Speciale ka pasur për qëllim goditjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e jo drejtësinë.

Ndërkaq, përveç Thaçit, dënim me nga 12 muaj burg është shqiptuar edhe për Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, ndërsa Hajredin Kuçi ka marrë dënimin prej një muaji burgim me kusht. Ky proces gjyqësor është i ndarë nga gjykimi për krime lufte ndaj ish-presidentit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. (Gyltene Sinani, TVM2)