RMV-ja shënon 35-vjetorin e Kushtetutës, Gashi: Qytetari në qendër, reflektimi kah e ardhmja
Maqedonia e Veriut shënoi 35 vjet...

Maqedonia e Veriut shënoi 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë të shtetit të pavarur. Me këtë rast në Kuvend u organizua manifestim solemn dhe panele nga fusha të ndryshme.
Kryetari i shtëpisë legjislative, Afrim Gashi, tha se ky përvjetor, mes tjerash, është një thirrje para audiencës akademike dhe klasës politike për të reflektuar mbi atë që e kemi bërë deri tash dhe njëherësh potencoi që të shfrytëzohet mundësia për të diskutuar hapur për vlerat që e mbajnë të bashkuar shoqërinë dhe mbi përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
“Përmes asaj kushtetute, përveç deklarimit politik të shtetësisë, Maqedonia e përvijoi edhe identitetin e saj shtetëror dhe zuri vend në mesin e shteteve sovrane, të pavarura, demokratike e sociale, duke u bërë një shtet i së drejtës, i lirive dhe të drejtave të njeriut, i pluralizmit politik dhe i përcaktimit euroatlantik. Kur këto momente i shohim nga këndvështrimi i këtij 35-vjeçari, gjithmonë kemi mundësi të reflektojmë se a janë dhe sa janë përmbushur synimet e brezit që e bëri Maqedoninë të pavarur.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Siljanovska: Kushtetuta s'bën të hapet shpesh
Shefja e shtetit, Siljanovska Davkova, duke bërë një kronologji rreth ndryshimeve kushtetuese me amendamente në kohëra të ndryshme, rekomandoi që akti më i lartë juridik të mos hapet shpesh, por në kohën kur organet e brendshme vlerësojnë ndonjë ngecje sipas rendit juridik.
“Kushtetuta është ligji mbi ligjet, që ne juristët themi, leks, superior. Por është edhe diçka tjetër. Marrëveshje me e rëndësishme shoqërore me qytetarët. Pse e qytetarëve? Sepse ata janë sovrani i shtetit. Prej aty buron sovraniteti dhe atyre u takon... Nëse është marrëveshje më e rëndësishme shoqërore, nëse është bazë juridike dhe politike e shtetit, pse aq shpesh ndryshohet? Rekomandoj kryetarin e Kuvendit që më shpesh ta thirr komisionin për çështje kushtetuese dhe ta plotësojë edhe me ekspertë nga jashtë, që në mënyrë të vazhdueshme ta analizojë implementimin e Kushtetutës t'i detektojë problemet e rendit kushtetues, jo të mblidhemi vetëm kur nga jashtë na kërkohet të bëjmë ndryshime kushtetuese.”, - theksoi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Kuvendi republikan miratoi Kushtetutën më 17 nëntor 1991, pas referendumit për pavarësi të 8 shtatorit të po atij viti.
Kushtetuta e vendit pësoi dy herë ndryshime të theksuara, ndryshimet kushtetuese që dolën si obligim për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pas konfliktit në vitin 2001 dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2019 për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, përfshi edhe ndryshimin e emrit të Shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
