Në Gjykatën e Tetovës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së komunës, Teuta Arifi, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në seancë u dëgjuan katër dëshmitarë dhe tre revizorë të brendshëm. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për rreth 546 kontrata në vepër, nga të cilat për 268 nuk është dorëzuar raport pune, ndërsa për 248 të tjera raportohet se ka pasur dëshmi për angazhimin e tyre. Sipas raportit të revizionit, dëmi i pretenduar ndaj buxhetit komunal arrin në rreth një milion euro. Revizorët deklaruan se kontrolli i brendshëm ishte kryer me kërkesë të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë periudhës janar–mars 2022.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori publik dhe avokatët mbrojtës, ata sqaruan se punësimi përmes këtyre kontratave ishte realizuar drejtpërdrejt në komunë dhe jo përmes ndonjë agjencie punësimi. Një pjesë e pyetjeve të avokatëve u përqendruan te natyra e angazhimeve, vendet e punës dhe detyrimi i të angazhuarve për të pasur vend konkret dhe orar të përcaktuar pune. Pas përfundimit të seancës, ish-kryetarja Teuta Arifi u shpreh se nuk e pranon akuzën dhe se konsideron që nuk ka kryer asnjë shkelje me qëllim.
“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda, i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës. Është e ulët dhe e turpshme që qytetarët e këtij qyteti, të cilët kanë bërë një punë, cilado qoftë ajo, të merren dhe të tërhiqen nëpër gjykata për të dhënë deklarata. Nuk është problem. Unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem në shërbim të qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin siç duhet për çdo qytetar të këtij shteti.”, - deklaroi ish-kryetarja e Komunës së Tetovës, (e akuzuar), Teuta Arifi.
Seanca e radhës është caktuar për 1 dhjetor, në orën 10:00. Sipas gjykatësit të lëndës, Rexhep Musa, në seancën e ardhshme pritet të lexohen dëshmitë me shkrim, si dhe të dëgjohen një dëshmitar dhe një ekspert.
VISAR SADIKI