Lufta në Ukrainë, tensionet rriten, diplomacia kërkon zgjidhje
Ura e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë...

Ura e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë, ka pësuar dëmtime të rënda nga sulmet ukrainase me dronë dhe raketa. Sipas autoriteteve ukrainase, një pjesë e strukturës rrugore është shembur në ujë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se operacioni ishte përgatitur prej disa javësh dhe kishte për qëllim goditjen e një prej rrugëve kryesore të furnizimit ushtarak rus drejt Krimesë.
Moska ka nisur hetime për terrorizëm. Ndërkohë, Rusia akuzon Francën për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftën në Ukrainë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi se Moska është në dijeni të pranisë së personelit ushtarak francez në territorin ukrainas dhe se për këtë çështje ka paralajmëruar Parisin.
Sipas tij, angazhimi i ushtarakëve të huaj, përfshirë ndihmën në përcaktimin e objektivave ushtarake dhe sigurimin e të dhënave satelitore, tejkalon mbështetjen e zakonshme për Ukrainën.
“Mendoj se kjo ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për personel francez. Ne jemi në dijeni të kësaj. E kemi përcjellë shqetësimin tonë përmes kanaleve përkatëse, duke paralajmëruar vendet se kjo nuk është më mbështetje për Ukrainën, por pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në luftë. E njëjta gjë vlen edhe për ndihmën në përcaktimin e objektivave dhe sigurimin e të dhënave satelitore.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.
Deklaratat e Lavrovit vijnë pas negociatave ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është diskutuar edhe për sigurinë evropiane në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Stiv Uitkof dhe Jared Kushner, pritet të takohen të enjten në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe evropianë.
Në fokus do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe rindërtimi ekonomik pas luftës.
Paralelisht, Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të reja ndaj mbi 100 individëve dhe organizatave ruse, të akuzuara për mbështetjen e luftës, propagandë dhe sulme kibernetike. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
