Botë

SHBA miraton shitjen e mundshme të sistemeve HIMARS për Shqipërinë, marrëveshja kap vlerën 210 milionë dollarë

18.11.2026 10:26

DAShka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve të artilerisë raketore HIMARS dhe pajisjeve përkatëse për Shqipërinë...

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve të artilerisë raketore HIMARS dhe pajisjeve përkatëse për Shqipërinë, në një marrëveshje me vlerë të përafërt prej 210 milionë dollarësh.
 
Sipas njoftimit zyrtar, qeveria shqiptare ka kërkuar dy sisteme raketore M142 HIMARS, gjashtë kapsula me raketa të drejtuara M31A2 GMLRS dhe gjashtë kapsula të tjera me raketa M30A2 GMLRS, të pajisura me koka luftarake alternative.
 
Paketa ushtarake përfshin gjithashtu tetë sisteme informacioni taktik për artilerinë fushore, dy automjete ushtarake me lëvizshmëri të lartë, pajisje komunikimi dhe navigimi, raketa stërvitore, pjesë këmbimi, mbështetje logjistike dhe trajnim të personelit.
 
Blerja parashikohet të financohet përmes kredive në kuadër të programit amerikan të Financimit të Ushtrive të Huaja.
 
Sipas zyrtarëve amerikanë, shitja e propozuar synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, duke u mundësuar Forcave të Armatosura kryerjen e goditjeve precize në distanca të gjata.