Kualifikueset e Euro 2028, Maqedonia në vazon 3 të shortit, bashkë me Kosovën
Krahas faktit se përfaqësuesen e Maqedonisë në pranverë e presin sfidat në balotazhin e Ligës së Kombeve...

Krahas faktit se përfaqësuesen e Maqedonisë në pranverë e presin sfidat në balotazhin e Ligës së Kombeve, përqendrimi ngadalë transferohet në atë kryesoren eliminatore për “Euro 2028”. Kështu, pas përfundimit të fazës së garave të grupeve të Ligës së Kombeve, tanimë është e njohur edhe përbërja e të gjitha vazove. Maqedonia bën pjesë në vazon 3, bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën, çka do të thotë se nuk do të ketë një përplasje mes këtyre tri kombëtareve. Trajnerët e të tria këtyre përfaqësueseve shpresojnë të kenë fat në shortin e 6 dhjetorit.
Është thuajse e pashmangshme përballja me kombëtaret e mëdha të vazos së parë, ku bëjnë pjesë emra si Anglia, Franca, Gjermania, Spanja e Portugalia, por edhe skuadra më të lehta në letër si Danimarka e Greqia. Po ashtu edhe në vazon 2, nga ku do të dalë rivali kryesor i Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ka skuadra të forta, si Austria, Zvicra, Suedia, Turqia etj. Në këtë vazo bën pjesë edhe Serbia.
Më 6 dhjetor në Belfast, do të hidhet shorti për 12 grupet eliminatore. Gjashtë grupe do të përbëhen me nga 4 dhe 6 grupe me nga 5 përfaqësuese. Fituesit e të gjitha 12 grupeve, si dhe 8 të dytat më të mira, do të sigurojnë kualifikim direkt në “Euro 2028”.
Katër pjesëmarrësit e tjerë do të mësohen përmes balotazhit, i cili do të jetë specifik dhe do të varet nga suksesi në eliminatore i katër vendeve organizatore të Evropianit. Eliminatoret do të nisin në mars 2027 dhe do të luhen deri në nëntor, ndërsa Maqedonia këtë rrugëtim të saj do ta nisë në qershor, pasi në mars luan balotazh për mbetje në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Ndarja e vazove për shortin e 6 dhjetorit
Vazo 1: Angli, Francë, Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Greqi, Holandë, Portugali, Itali, Kroaci, Norvegji, Spanjë
Vazo 2: Austri, Bosnjë-Hercegovinë, Çeki, Suedi, Hungari, Irlandë e Veriut, Serbi, Turqi, Uells, Zvicër, Irlandë, Slloveni
Vazo 3: Rumani, Gjeorgji, Islandë, Izrael, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Poloni, Sllovaki, Shqipëri, Ukrainë, Kosovë, Skoci
Vazo 4: Bullgari, Armeni, Bjellorusi, Estoni, Finlandë, Ishujt Faroe, Kazakistan, Letoni, Luksemburg, Moldavi, Qipro, San Marino
Vazo 5: Andorra, Azerbajxhan, Gjibraltar, Lihtenshtejn, Lituani, Maltë
