Botë
Trump – Putin – Jinping, takim i tre presidentëve në Kinë
19.11.2026 11:52
Sytë e opinionit botëror janë përqendruar sot në takimin e tre presidentëve...

Sytë e opinionit botëror janë përqendruar sot në takimin e tre presidentëve, atij amerikan Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping. Takimi po mbahet në margjinat e samitit të APEC-ut në qytetin kinez Shenzhen. Siç është bërë e ditur, fokusi i takimit do të jetë te luftërat në Ukrainë dhe Iran, tregtia, inteligjenca artificiale dhe armët bërthamore. Trump-i ka deklaruar se takimi mes liderëve i të tre fuqive më të mëdha bërthamore në botë përbën një mundësi për të diskutuar rregulla të reja për kufizimin e këtyre armëve. Por, Pekini ka sinjalizuar se nuk ka gjasa të pranojë kufizime mbi arsenalin e tij bërthamor, i cili është më i vogël se ai i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në prag të takimit trepalësh, presidenti amerikan Trump i cilësoi takimet me Putin-in dhe Xi Jinping-un si një fitore të madhe. Ai paraprakisht zhvilloi takime të ndara me të dy liderët.
“Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera për shumë vite, njihemi prej kohësh dhe mendoj se nga kjo mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të fillojnë, por mendoj se do të realizohen.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Nga Kremlini njoftuan se Trump-i dhe Putin-i kanë diskutuar për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Putin-i bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi, siç ka thënë ai, të tria vendet kanë jo vetëm një histori të përbashkët si fuqi fituese në Luftën e Dytë Botërore, por edhe një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes ndërkombëtare. Në takimin me Xi Jinpingun, Trump-i foli për marrëdhëniet tregtare, sigurinë energjetike dhe Iranin, por kërkoi gjithashtu mbështetjen e Kinës për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Presim që të dy të ndihmojmë lidhur me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Do të dëshironim të shihnim që ajo të përfundojë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Presidenti amerikan shprehu optimizëm se bisedimet trepalëshe mund të sjellin rezultate të rëndësishme. Ky është takimi i parë zyrtar mes tre liderëve në këtë format, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm diplomatik mes tri fuqive të mëdha botërore. Disa vende kanë shprehur shqetësimin se interesat e tyre mund të lihen në hije nga marrëveshjet dhe diskutimet mes tri fuqive të mëdha.
NAIM SINANI
