Siguria e sistemit të FSSh-së, Revizioni zbulon mangësi në mbrojtjen e të dhënave
Enti Shtetëror i Revizionit ka evidentuar mangësi serioze...

Enti Shtetëror i Revizionit ka evidentuar mangësi serioze në sigurinë e sistemit informatik, që lidhen me mungesën e kuadrit profesional, dobësitë në mekanizmat e kontrollit dhe mbrojtjen e të dhënave.
Po ashtu, revizorët kanë konstatuar se nuk janë testuar procedurat për rikthimin e të dhënave nga kopjet rezervë në rast të incidenteve, çka vë në pikëpyetje gatishmërinë e institucionit për t'u përballur me situata të tilla.
“Nuk u zhvilluan trajnime të vazhdueshme për sigurinë kibernetike dhe simulime me mesazhe të rreme “phishing” për gatishmërinë e punonjësve. U identifikuan gjithashtu boshllëqe kohore në kontratat për mirëmbajtje dhe mbështetje, nuk u krye integrimi i të gjithë sistemit të informacionit dhe kishte mangësi në procedurat dhe testimin për rivendosjen e të dhënave nga kopjet rezervë.”, - deklaroi Martin Duvnjak nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Pas konstatimeve të revizorëve, Fondi për Sigurim Shëndetësor njoftoi se ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të tyre. Plani përfshin përcaktimin e detyrave konkrete, personave përgjegjës dhe afateve kohore për realizimin e secilës masë.
“Ajo që është e rëndësishme dhe që dëshiroj ta theksoj në veçanti është se një pjesë të masave tashmë i kemi realizuar, është bërë segmentimi i rrjetit në qendrën e të dhënave dhe ndërkohë janë emëruar persona përgjegjës për kontrollin e qasjeve të përdoruesve. Për masat tjera të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë së informacionit, modernizimin sistemeve dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore kemi përcaktuar afate të qarta, gjë që duhet të veprojnë deri më 31 dhjetor 2027. Qëllimi ynë është që çdo rekomandim të zbatohet dhe në këtë mënyrë të forcojmë sigurinë e sistemeve dhe mbrojtjen e të dhënave të personave të siguruar.”, - theksoi Irfan Limani nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Nga ky institucion theksojnë se siguria dhe mbrojtja e të dhënave në sistemin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor mbeten prioritet dhe se publiku do të informohet për progresin në zbatimin e masave.
Si pasojë e sulmit kibernetik, sistemi i Fondit për Sigurim Shëndetësor ishte jashtë funksionit për rreth dy javë, duke vështirësuar procedurat për pushimet e lehonisë, pushimet mjekësore dhe realizimin e pagesave.
Sistemi u rikthye në funksion më 20 shkurt të atij viti. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
