Kurti: Javën e ardhshme draft i ri i Ligjit për Specialen
Javën e ardhshme pritet që të propozohet një draft i ri...

Javën e ardhshme pritet që të propozohet një draft i ri i Ligjit për Gjykatën Speciale. Siç bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth këtij drafti po punon Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Ne presim që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjell draftin e parë. Ju e dini se në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare. Aty janë që të gjithë bashkë dhe natyrisht janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta ekspertë po e ndihmojnë grupin punues dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Por, nga disa prej këtyre ekspertëve dhe ekspertë të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim që javën e ardhshme të na e sjellin draftin e ri të një Ligji të ri përkatës për Dhomat e Specializuara.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se pret që drafti i ri i Ligjit të ri për Dhomat e Specializuara të punohet me kujdes dhe të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, në mënyrë që të ndihmohet drejtësia, e cila i ka munguar popullit të Kosovës si askujt tjetër.
Paraprakisht është shtyrë për një kohë të pacaktuar vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite ishte shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, i cili pas votimit të parë nuk u dekretua nga presidentja e Kosovës.
Vendimi për shtyrjen e seancës është marrë pas diskutimeve ndërmjet shefave të grupeve parlamentare. (Gyltene Sinani, TVM2)
