Nisin punimet te hyrja e Çarshisë së Vjetër, pllakat e thyera do të zëvendësohen me të reja

19.11.2026 16:55

Më në fund ka nisur rregullimi i pllakave të dëmtuara në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit...

Më në fund ka nisur rregullimi i pllakave të dëmtuara në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, një hapësirë shumë e frekuentuar nga qytetarët dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi përmes një postimi në Facebook se pllakat e thyera po zëvendësohen me pllaka të reja. Punimet, sipas tij, do t’i përfshijnë të gjitha pjesët e dëmtuara në hyrje të Çarshisë.

Gjorgjievski tha se ndërhyrja vjen pas reagimeve të qytetarëve për gjendjen e kësaj hapësire.

Ai theksoi se pamja që i pret shkupjanët dhe mijëra turistët duhet të jetë e denjë për një nga simbolet historike të qytetit.

“Pas vitesh moskujdesi, në hyrje të Çarshisë, kudo ku ka dëmtime, pllakat e thyera po i zëvendësojmë me pllaka të reja travertini”, shkroi ai.

Sipas kryetarit, me këtë ndërhyrje zgjidhet një problem konkret për zejtarët, qytetarët dhe vizitorët.