Maqedoni

Dalloni rrezikun e grupit “764”, MPB: Mbroni fëmijët!

20.11.2026 09:34

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë për kujdes të shtuar lidhur me fenomenin e njohur si “764”...

Një komunitet i dhunshëm online, i njohur si “764” shënjestron fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të rrezikuar, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.
 
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë për kujdes të madh lidhur me dukurinë e njohur si “764”. Për seriozitetin e kësaj dukurie paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, ndër të cilat edhe Byroja Federale e Hetimeve e ShBA-së (FBI), e cila grupin “764” e ndërlidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme. 
 
“Ky apel ka karakter parandalues – synon informimin me kohë të opinionit publik për mënyrat e veprimit të këtyre grupeve, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mundësitë për mbrojtjen e tyre.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.  
 
Grupi “764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online. Për të vendosur kontakt me viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Tëitter), Minecraft dhe Fortnite.
 
Policia sqaron se kontakti me fëmijët dhe të rinjtë zakonisht vendoset duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për një miqësi apo marrëdhënie emocionale.  
 
Materialet që arrijnë t'i sigurojnë më pas i përdorin si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave.