Botë

Mosrespektimi i rregullave ka kontribuar në vdekjen e një punëtori në Ohër – ngrihet akuzë

20.11.2026 11:11

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka paraqitur propozim-akuzë kundër dy personave fizikë dhe dy personave juridikë...

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka paraqitur propozim-akuzë kundër dy personave fizikë dhe dy personave juridikë për veprat penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, sipas nenit 292, paragrafi 4, në lidhje me nenin 288, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 2, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288, paragrafi 5, “Shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës”, sipas nenit 166, dhe “Mosmarrje e masave për mbrojtje në punë”, sipas nenit 170 të Kodit Penal.
 
I akuzuari i parë, person përgjegjës në njërin prej personave juridikë të akuzuar, nuk ka vepruar sipas rregullave teknike për masat mbrojtëse, të parapara në Ligjin për Ndërtim, duke shkaktuar kështu rrezik për jetën e njerëzve. Si investitor, ai po ndërtonte një ndërtesë, por megjithëse objekti ishte ende në ndërtim, nuk kishte ndërmarrë masa mbrojtëse. Hapësirën e ashensorit në objekt nuk e kishte siguruar me gardh mbrojtës, kantierin nuk e kishte mirëmbajtur në gjendje të rregullt, pa rrënoja dhe mbeturina të panevojshme, hyrjen e ndërtesës nuk e kishte siguruar për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar, ndërsa në shkallë nuk kishte vendosur parmakë për të parandaluar rëniet e padëshiruara.
 
Më 12 janar, në orët e mëngjesit, në ndërtesë kishin hyrë katër punëtorë të angazhuar nga personi i dytë juridik i akuzuar, të cilët së bashku po bartnin një pjesë mobiliesh. Kur kishin arritur në katin e katërt të ndërtesës në ndërtim, njëri nga punëtorët ishte penguar me këmbë në një kovë të lënë në korridor, kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë në hapësirën e ashensorit, deri në ambientet e bodrumit. Nga rënia kishte pësuar lëndime trupore shumë të rënda dhe kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
 
Me akuzën është përfshirë edhe personi juridik që kishte angazhuar punëtorët, si dhe drejtuesi i tij, pasi me vetëdije nuk i ishin përmbajtur Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe masave për mbrojtje në punë.
 
Punëtorin tashmë të ndjerë, Kristijan Ljushev, e kishin angazhuar pa kontratë punësimi, në marrëdhënie pune plotësisht të padeklaruar. Ata kishin lejuar që i dëmtuari të kryente detyra pune si ndihmës montues, pa ndjekur trajnimin bazë për siguri dhe shëndet në punë, pa iu nënshtruar kontrollit shëndetësor dhe pa i dhënë udhëzime për punë në kushte specifike dhe në rrethana me rrezik serioz dhe të shtuar për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
 
Pa inspektim dhe vlerësim të mjedisit të punës, punëtorët kishin punuar në bazë të një urdhri verbal të drejtuesit, në një hapësirë pune, përkatësisht në një ndërtesë në ndërtim, ku ekzistonte rrezik i shtuar për sigurinë e tyre. Me këtë mosrespektim të rregullave për masat mbrojtëse, i akuzuari e kishte ekspozuar punëtorin ndaj rrezikut dhe kishte shkaktuar rrezik për jetën e tij.
 
Me qëllim parandalimin e ndryshimeve të statusit juridik dhe tjetërsimit të pasurisë së personave juridikë gjatë procedurës, prokurori publik ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ohër edhe propozim për caktimin e një mase sigurimi, përkatësisht ndalimin e ndryshimeve të statusit juridik në të dyja kompanitë e akuzuara.