Ditët e Alfabetit, nderohen me mirënjohje veteranët e arsimit
Në organizimet me rastin e përvjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe...

Në organizimet me rastin e përvjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk u la anash as përkujtimi dhe respekti për veteranët e arsimit. Me këtë rast, institucionet shtetërore nderuan me mirënjohje një numër arsimtarësh nga trevat shqiptare, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave ndër vite.
“ Nxënësi është shtylla kryesore në të cilën mbështetet mësuesi. Nxënësi dhe mësuesi janë bashkëpunëtorët më të ngushtë, si prindi dhe fëmija, sepse bashkërisht e realizojnë një qëllim të përbashkët: edukimin, ngritjen intelektuale dhe formimin e personalitetit demokratik”, tha Xheladin Murati, veteran i arsimit.
“Është kënaqësi kur shikojmë gjeneratat e reja, që janë një e arritur, një produkt i të gjitha këtyre aktiviteteve që mësimdhënësi i jep”, tha Satki Ismaili, veteran i arsimit.
“Për mua ky vlerësim është më shumë se një mirënjohje, sidomos në këto festa të nëntorit, kur festohet Dita e Alfabetit dhe Dita e Flamurit”, tha Lutfije Vejseli, veterane e arsimit.
“Jam krenare që gjatë këtyre 42 viteve të punës i shoh nxënësit e mi në shumë pozita të larta, si drejtorë, inxhinierë, profesorë”, tha Sabije Zenku, veterane e arsimit.
“Kujtojmë arsimtarët e parë, shkollat, shkronjat shqipe, nxënësit, punën tonë dhe sakrificat që kemi bërë”, tha Mejreme Mehmeti, veterane e arsimit.
“Mirënjohja për mua është një kujtesë për punën tonë të palodhshme. Ne, para së gjithash, punojmë për fëmijët e kombit tonë”, tha Mejreme Kajolli, veterane e arsimit.
“Lumturia e arsimtarit nuk mbaron me një mirënjohje. Lumturia më e madhe është kur i sheh nxënësit e vet duke u rritur, edukuar e arsimuar dhe kur një ditë bëhen në shërbim të kombit dhe popullit”, tha Ali Osmani, veteran i arsimit.
“Vij nga fshati Cërnilishtë. Kam 13 vite që kam dalë në pension. Më gëzon shumë fakti që shumica e nxënësve të mi sot janë doktorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Kam punuar plot 40 vite”, tha Samedin Aliu, veteran i arsimit.
“Kam punuar në arsim 37 vite, duke ia kushtuar një pjesë të madhe të jetës sime dhënies së dijes nxënësve, për çka sot jam krenar”, tha Kasam Arifi, veteran i arsimit.
Mirënjohja për këto figura të arsimit dëshmon se vizioni dhe puna e tyre ndër vite kanë dhënë rezultate, ndërsa përfaqësuesit e ekzekutivit vlerësuan kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit shqip.
Edhe pushteti lokal shprehu respekt për figurat që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, folën për rëndësinë e sigurimit të arsimit cilësor dhe përmirësimit të infrastrukturës shkollore.
Në këtë organizim mbajti fjalim edhe drejtori i Qendrës Kulturore Informative, Ymer Rexhepi.
Në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Alfabetit Shqiptar, nuk munguan as elementet artistike dhe pikat muzikore instrumentale. (Nermin Mulaki - Fejzullahu, TVM2)
