Shiroka Pula dhe Haxhiu urojnë 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit

22.11.2026 16:30

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe...

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar se alfabeti është dëshmi e qëndresës dhe e përpjekjes për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në mesazhin e publikuar nga Presidenca, Shiroka Pula ka kujtuar delegatët e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, të cilët u bashkuan për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe.

“Alfabeti i gjuhës shqipe është dëshmi e qëndresës sonë dhe e përpjekjes për ruajtjen e identitetit kombëtar. Lufta jonë për liri u bë edhe për gjuhën shqipe, për të drejtën për ta folur dhe shkruar atë lirshëm”, thuhet në mesazhin e presidentes.

Ajo ka përkujtuar 50 delegatët nga 26 qytete, shoqata dhe klube shqiptare, të cilët morën pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908. Shiroka Pula ka theksuar se ruajtja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te brezat e rinj është përgjegjësi e të gjithëve.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Haxhiu ka kujtuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare dhe mërgata arritën marrëveshjen për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.

Ajo ka theksuar se rilindësit, pavarësisht dallimeve, vendosën gjuhën dhe interesin kombëtar mbi çdo ndarje.

“Sot, një fëmijë në Gjilan dhe një tjetër në Korçë i mësojnë shkronjat e para të shqipes, ashtu siç i mësojnë edhe fëmijët shqiptarë në Zvicër, Gjermani, Amerikë e kudo në mërgatë. Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon, dhe mësuesit janë ata që me punën e tyre e mbajnë gjallë dhe e përcjellin ndër breza. Të gjithë mësuesve u uroj punë të mbarë dhe suksese!”, - thekson Haxhiu.

Ndërsa kryemismnitri Albin Kurti, në ditën e Alfabetit do të qëndrojë në qytetin e Alfabetit në Manastir. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)