Përparim në qeverisjen elektronike, RMV-ja ngjitet me 16 vende në indeksin e OKB-së
RMV-ja është duke shënuar rezultate të dukshme...

RMV-ja është duke shënuar rezultate të dukshme në transformimin digjital. Sipas Indeksit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për qeverisjen elektronike për vitin 2026, vendi ynë renditet në vendin e 68-të në botë, duke shënuar përmirësim me 16 pozita krahasuar me vitin 2024, tha ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. Sipas tij, ky është rezultati i dytë më i mirë në serinë e renditjeve të OKB-së që nga viti 2003.
“Vlera e indeksit të vendit është rritur nga rreth 70 pikë në vitin 2024 në 78 pikë indeksi në vitin 2026. Me këtë rezultat, Maqedonia hyn në grupin e vendeve me një nivel shumë të lartë të zhvillimit të qeverisjes elektronike, si një nga pesë vendet evropiane që kanë bërë atë hap në këtë matje, nga një total prej 11 vendesh në botë. Ky është një përparim në të gjithë komponentët kryesorë të vlerësuar nga raporti. Pjesëmarrja elektronike e qytetarëve, si një tregues shtesë, u rrit nga 57% në vitin 2024 në 65% në vitin 2026.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Ky i fundit po ashtu theksoi se 350 shërbime janë aktualisht të disponueshme në portalin kombëtar uslugi.gov.mk - disa plotësisht elektronike dhe disa informative, ndërsa në periudhën e ardhshme priten që disa shërbime nga MPB-ja nga Fondi i Shëndetësisë dhe komunave të digjitalizohen deri në fund të vitit.
“Në këtë moment në portalin kombëtar uslugi.gov.mk janë të disponueshme 350 shërbime, të cilat qytetarët do të mund t’i marrin në mënyrë elektronike, disa prej tyre janë plotësisht elektronike, që nënkupton se nuk nevojitet të shkohet në sportele, ndërsa disa prej tyre janë informative, që nënkupton se japin informacione për shërbimin në fjalë se ku duhet të drejtoheni, sa duhet të prisni dhe çka duhet të dorëzoni, ndërsa në periudhën që vjen parashihen të futen dhjetëra shërbime nga MPB-ja, dhe 30 shërbime nga Fondi i Shëndetësisë, ndërsa në vitin tjetër do të përqendrohemi tek shërbimet e Drejtorisë për të Ardhurat Publike, komunat, Entin Shtetëror të Statistikave.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Matja e ardhshme e OKB-së do të realizohet në vitin 2028 dhe Andonovski shprehu pritjet e tij se Maqedonia do të shënojë një përparim 20 deri në 30 vende. (Fitim Kryeziu, TVM2)
