Siguria e gazetarëve, formohet Komiteti Nacional për Mbrojtjen e Gazetarëve
Për herë të parë në vend formohet...

Për herë të parë në vend formohet Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve. Në të do të përfaqësohen institucione relevante, të cilat do të ndjekin nga afër kërcënimet, sulmet dhe problemet me të cilat përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit.
Qëllimi është forcimi i mekanizmave institucionale për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimi i kushteve për punë më të lirë dhe më të sigurt.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, në takimin e parë të Komitetit të sapoformuar, tha se gazetaria e lirë dhe e sigurt nuk është privilegj i gazetarëve, por një e drejtë dhe nevojë e çdo shoqërie demokratike.
“Formimi i këtij komiteti është rezultat i iniciativës dhe përkushtimit të Qeverisë për avancimin sistematik të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Komiteti formohet në kuadër të përmbushjes së obligimit që buron nga rekomandimi i Këshillit të Evropës i miratuar në vitin 2016, për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve dhe aktorëve të tjerë mediatikë, i cili përcakton katër shtylla kryesore mbi të cilat duhet të bazohen mekanizmat kombëtarë për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Formimi i Komitetit Nacional u përshëndet edhe nga kryeprokurori Nenad Saveski dhe shefja e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Iskra Haxhi Vasileva. Të dy institucionet do të jenë pjesë e këtij mekanizmi, duke kontribuar në parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe në ndjekjen penale të tyre.
“Me ndryshimet në Kodin Penal, sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, të lidhura me kryerjen e detyrave të tyre profesionale, praktikisht janë barazuar me sulmet ndaj personave zyrtarë. Në disa raste, kjo ka rezultuar me ndjekje penale më efikase. Megjithatë, për fat të keq, vazhdojnë të jenë shqetësuese disa tendenca, veçanërisht kërcënimet dhe intimidimet online, të cilat në mënyrë të veçantë janë të drejtuara ndaj gazetareve gra.”, - u shpreh shefja e PThP-NKOK, Iskra Haxhi Vasileva.
Përfaqësuesit e ShGM-së dhe organizatave sindikale shprehen të bindur se pjesëmarrja në këtë Komitet do t’u mundësojë të kërkojnë llogari nga institucionet dhe të insistojnë në mekanizma më efikas për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë.
“Kjo do të thotë se do të kemi një trup ku do të mund t’u rrimë mbi kokë institucioneve sa herë që ato nuk arrijnë, ose ndoshta nuk duan, të gjejnë mekanizma të mjaftueshëm për t’i mbrojtur gazetarët ashtu siç duhet. Shpresoj që kjo të mos jetë e nevojshme dhe që gjërat të ecin ashtu siç dëshirojmë.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
“Është shumë më mirë të jemi në të njëjtën tryezë me ata që mund të na mbrojnë. Por, kur flasim për sigurinë, do të doja të theksoja se, për fat të keq, siguria jonë nuk mund të garantohet përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, siç është rasti me sigurinë në trafik. Këtu bëhet fjalë për vetëdijen, perceptimin dhe pandëshkueshmërinë, prej nga burojnë të gjitha problemet tona.”, - theksoi kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski.
Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës theksuan se siguria e gazetarëve është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, ndërsa Komitetin Nacional e vlerësuan si një gurthemel për një sistem më të qëndrueshëm të mbrojtjes së gazetarisë.
“Është një gurthemel i rëndësishëm për Maqedoninë për të përforcuar mbrojtjen e gazetarëve dhe për të krijuar një ambient më të sigurt për punën e tyre. Themelimi i këtij komuniteti nga Qeveria më 27 tetor është një hap i rëndësishëm mes angazhimit politik dhe veprimit institucional. Gjithashtu reflekton edhe të kuptuarit se siguria e gazetarëve nuk është vetëm preokupim i komunitetit mediatik, por edhe përgjegjësi e institucioneve publike dhe shoqërisë.”, - u shpreh shefi i Zyrës Programore të Këshillit të Evropës – Shkup, Oleg Soldatov.
MPB-ja theksoi se po avancon bashkëpunimin me komunitetin gazetaresk, veçanërisht me ShGM-në. Për këtë qëllim, ka caktuar një pikë fokale nacionale, pika lokale në të gjithë sektorët e MPB-së dhe një pikë kontakti për sigurinë kibernetike, për reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve dhe shqetësimeve online. (Rexhep Qamili, TVM2)
