Zelensky ngre alarmin: Rusia po përgatit sulme të reja ndaj Ukrainës

24.11.2026 12:18

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky...

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po përgatit një valë të re sulmesh ndaj Ukrainës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e inteligjencës.

Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë që të mos i nënvlerësojnë këto paralajmërime. Zelensky theksoi se vendi ka nevojë urgjente për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, për të parandaluar goditjet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike. Paralajmërimi vjen pas një serie sulmesh ruse, ku në Kiev u plagosën pesë persona, ndërsa në një rajon përreth kryeqytetit humbën jetën 11 të tjerë.
 
Kreu i shtetit ukrainas kërkoi gjithashtu që partnerët ndërkombëtarë të garantojnë furnizimin me sisteme kundër raketave balistike. Gjatë një takimi me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ai deklaroi se Ukraina e meriton anëtarësimin në Aleancë dhe mund të kontribuojë në forcimin e saj.
 
Ndërkohë, diskutimet për të ardhmen e Donbasit dhe mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO mbeten pjesë e negociatave për përfundimin e luftës.
 
Nga ana tjetër, Moska vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Kievit në Aleancë, ndërsa tensionet dhe pasiguria për zhvillimet e ardhshme mbeten të larta.