Maqedoni

Çdo i dyti i rritur në Maqedoni pi duhan, 17% e të miturve janë të varur nga duhani

24.11.2026 14:14

Çdo i dyti i rritur në Maqedoni është duhanpirës, ndërsa shqetësues është fakti se 17 për qind e të miturve janë të varur nga duhani....

Çdo i dyti i rritur në Maqedoni është duhanpirës, ndërsa shqetësues është fakti se 17 për qind e të miturve janë të varur nga duhani. Me këto shifra, vendi renditet ndër shtetet me përhapjen më të lartë të përdorimit të produkteve të duhanit. Sipas hulumtimit të fundit të Think Tank Analitika, qytetarët shpenzojnë mesatarisht 600 euro në vit për cigare, ndërsa për sigurimin shëndetësor ndahen rreth 500 euro. Krahasuar me gjashtë vite më parë, duhanpirësit konsumojnë më shumë, mesatarisht të paktën 20 cigare në ditë, për të cilat shpenzojnë rreth 4.800 denarë në muaj.
 
“Në krahasim me vitin 2020, kur ishte vala e parë, na tregohet se çdo i dyti qytetar i rritur pi duhan. Pra, prevalenca e pirjes së duhanit ose përhapja, është 50%. Nëse kësaj i shtojmë edhe produktet e reja të nikotinës dhe të duhanit, me duhan të importuar dhe cigaret elektronike, kemi një prevalencë prej 54%.”, - deklaroi Tamara Mijoviq Spasova nga Think Tank Analitika.
 
“E dimë se duhani është varësi dhe kur të filloni njëherë të pini duhan, është vërtet e vështirë ta lini, por gjë e mirë është se ka trajtim që funksionon dhe bazohet në prova shkencore. Një nga gjërat ku mendoj se duhet të angazhohemi në vendin tonë është të ofrojmë shërbime për lënien e duhanit, sepse kjo i mbron vetë ata, familjet e tyre dhe mbron komunitetin në tërësi.”, - theksoi përfaqësuesi i OBSh-së në Maqedoni, Akim Ali. 
 
“Amvisëritë që pijnë cigare shpenzojnë rreth 48 denarë nga 100 denarë për ushqim. Ato që nuk janë duhanpirëse shpenzojnë rreth 58 denarë, pra 10% më shumë shpenzojnë për ushqim amvisëritë që nuk kanë duhanpirës, në krahasim me ato që kanë duhanpirës.”, - u shpreh profesori universitar, Borçe Trenovski.
 
“Nuk mund të jenë më të lirat në treg dhe lehtësisht të qasshme. Duhet të ketë ndonjë mënyrë që përmes çmimit të ulet qasja në këto produkte. Kontrolli i shitjes për të mitur nuk është se dikush do të rrijë 24/7 në kioskë dhe do të shikojë nëse shiten cigare. Ka sisteme për kontrollin e shitjes për të mitur, duke përfshirë identifikimin.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Ligji për pirjen e duhanit ka një vit që pret të miratohet, ndërkohë që numri i të sëmurëve vazhdon të rritet. Sipas hulumtimit të Think Tank Analitika, qytetarët shprehin mbështetje për masa më të rrepta kundër duhanpirjes. Mbështetja më e lartë, prej 83,6 për qind, është për ndalimin e pirjes së duhanit në automjete ku udhëtojnë të mitur, 60 për qind mbështesin ndalimin e reklamimit në internet të produkteve të duhanit dhe nikotinës, ndërsa 40 për qind përkrahin ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike.
 
FARIJE DAUTI BAKIU