Maqedoni

Liqeni i Treskës i kthehet Komunës së Sarajit

24.11.2026 14:18

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka njoftuar se Liqeni i Treskës do t’i kthehet në tërësi Komunës së Sarajit...

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka njoftuar se Liqeni i Treskës do t’i kthehet në tërësi Komunës së Sarajit, pas anulimit të vendimit të Qeverisë për themelimin e Zonës Zhvillimore Turistike „Saraj – Liqeni i Treskës“.
 
Sipas njoftimit të Elmazit, në seancën e 232-të të Qeverisë, të mbajtur më 24 nëntor 2026, me numër rendor 41, është miratuar anulimi i vendimit për themelimin e kësaj zone zhvillimore turistike.
 
Elmazi ka bërë të ditur se me këtë vendim hiqet një pengesë administrative që, sipas tij, për vite me radhë e kishte mbajtur të bllokuar çështjen e Liqenit të Treskës.
 
Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për komunën, duke theksuar se krijohen kushtet që kjo hapësirë me potencial turistik dhe zhvillimor të marrë një perspektivë të re, në funksion të interesit të qytetarëve.
 
Megjithatë, njoftimi i kryetarit nuk sqaron nëse anulimi i vendimit e përfundon automatikisht procedurën e kthimit të pronësisë apo nëse nevojiten hapa të tjerë administrativë.