Propozim-ligjet me Badinter, Gashi: Ende nuk ka konsensus, presim dialog
Në Kuvend ende nuk ka konsensus për miratimin...

Në Kuvend ende nuk ka konsensus për miratimin e disa ligjeve që kërkojnë Badinter, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një takim me gazetarë.
Ai është shprehur se kjo nuk është në të mirën e qytetarëve e as institucioneve, andaj ftoi partitë për dialog dhe zhbllokim të ligjeve.
“Sa i përket ligjeve që presin për miratim me Badinter, ju e dini se janë disa ligje. Ende nuk ka ndonjë vendim të caktuar se kur do të mund të kemi një konsensus, edhe pse në të kaluarën kemi votuar mjaft ligje me Badinter të vogël dhe me Badinter të madh. Por, tani janë disa ligje që u bllokuan. Besoj që dialogu midis partive politike duhet të zhvillohet. Për këtë ligj ende nuk kemi mendim nga Qeveria, por presim dhe besoj që momentin e parë që do të kemi mendim do ta fusim në procedurë parlamentare dhe besoj që në seancat e radhës do të jetë një prej pikave të rendit të ditës të cilën do ta votojmë.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Propozim-ligji për dhunën ndaj grave, Gashi: Presim mendim nga Qeveria
Ndërkaq sa i përket thirrjes së seancës urgjente për të debatuar për mbrojtjen e viktimave nga dhuna, Gashi u shpreh i hapur për debat, ndërkaq ndryshimet ligjore do të vijojnë pasi të merret mendim edhe nga Qeveria.
