Procesi Bërdo-Brioni, liderët e rajonit mblidhen në Ohër

27.11.2026 12:58

Liderët rajonalë në kuadër të procesit Bërdo-Brioni...

Liderët rajonalë në kuadër të procesit Bërdo-Brioni mblidhen sot në Ohër në një takim ku nikoqire është presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ndërsa bashkëorganizatorë janë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

Në takimin rajonal do të marrin pjesë: presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq; presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula; ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq; si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

Sipas agjendës, takimi do të mbahet menjëherë pas pritjes zyrtare të liderëve dhe pritet të zgjasë rreth një orë e gjysmë. Pas përfundimit të takimit është paraparë një konferencë e përbashkët për media e presidentes Siljanovska Davkova me presidenten Pirc Musar dhe presidentin Millanoviq.

Gjatë qëndrimit në Ohër, Siljanovska Davkova do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryesuesen dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Cvijanoviq, Beqiroviq dhe Filipoviq; me presidenten e Kosovës, Shiroka-Pula; si dhe me ushtruesin e detyrës së presidentit të Serbisë, Çupiq.

Procesi Bërdo-Brioni është një iniciativë rajonale e themeluar në vitin 2013 nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit.