Ndryshimet kushtetuese, Rokas paralajmëron hap gjigant

27.11.2026 13:16

Nëse Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese...

Nëse Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese, qëllimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në në të njëjtën ditë dhe të hapë grupin e parë negociues “Bazat”, thotë ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas për “360 Gradë”.

“Qëllimi ynë është, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, të mbajmë dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, në të njëjtën ditë. E para do të përfundonte hapjen e negociatave të pranimit, dhe e dyta do të hapte grupin “Bazat”. Ky është qëllimi ynë. Mund ta përdorim kohën deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për të punuar në këto tre dokumente dhe të jemi gati për të ecur përpara.”, thotë Rokas.

Grupi “Bazat”, i cili mbulon sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, hapet i pari dhe mbyllet i fundit.

Për hapjen e tij, nevojitet një udhërrëfyes për reformën e administratës publike dhe një udhërrëfyes për sundimin e ligjit, me të cilin është i lidhur edhe Plani i Veprimit për Minoritetet, shpjegon ambasadori i BE-së.